
Që prej hyrjes në fuqi të rregullores së Gjykatës së Posaçme, proceset në këtë institucion të rëndësishëm të drejtësisë janë pezulluar për shkak të bojkotit të avokatëve. Të gjitha proceset, përfshirë dhe ato kundër njerëzve të rëndësishëm të politikës, janë shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve, të cilët ditët e fundit kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë as në seancat për caktimin e masave të sigurisë, çka mund të sjellë për pasojë lirimin e të dyshuarve për krime të rënda.
Këtë të martë, procesi ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u shty sërish për në datën 13 tetor, pasi mungonin avokatët. Mbrojtësit ligjorë u gjobitën nga trupa gjykuese me nga 50 mijë lekë. Për të pandehurin Erion Veliaj u pezulluan afatet e hetimit, pasi është i vetmi që mbahet në paraburgim.
Më herët, në GJKKO është shtyrë dhe procesi ndaj ish-presidentit Ilir Meta, i cili ka ngritur dyshime për skenar. Sipas Metës, konflikti mes GJKKO-së dhe avokatëve është i stisur dhe u shërben lojërave politike. Rregullorja e GJKKO-së është kundërshtuar ashpër edhe nga gazetarët dhe AGSH-ja e ka atakuar në Gjykatën Kushtetuese. Por, pavarësisht këtyre lëvizjeve, prej një muaji në Gjykatën e Posaçme nuk zhvillohet asnjë proces.






















