
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lë në fuqi vendimin e sekuestros mbi një vilë në Palasë, e regjistruar me kërkesën e Igli Tares, pronë e cila dyshohet të jetë pasuri e fshehur e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Prona dyshohet të jetë përfituar ryshfet nga Arbër Abazi, kompaninë e të cilit Balluku, në funksionin e Ministres së Infrastrukturës, e favorizonte me tendera.
Më 9 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestron preventive mbi vilën në kompleksin “Green Coast” në Palasë, pas kërkesës së SPAK. Sipas hetimeve, prona me sipërfaqe totale 478 m² dyshohet se zotërohej faktikisht nga Balluku, ndërsa për fshehjen e saj dyshohet se është përdorur Igli Tare.
SPAK pretendon se punimet në vilë janë marrë përsipër nga Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, pjesë e bashkimit të operatorëve që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës. Sipas hetimit, vlera e punimeve të financuara nga Abazi varion nga 288 mijë deri në 410 mijë euro dhe dyshohet se ka qenë përfitim i parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë në procedurën e prokurimit.






















