
Rregullorja e Gjykatës së Posaçme, e kundërshtuar prej javësh nga avokatët për kufizimet që vendos në ushtrimin e profesionit të tyre, duket se ka bashkuar në të njëjtin shqetësim mazhorancën dhe opozitën. Rregullorja është në fuqi prej 1 shtatorit, ndërsa kundërshtimi i saj ka çuar në bojkot të seancave nga avokatët.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, deputeti Arjan Ndoja ngriti shqetësimin nëse rregullorja e GJKKO-së bie ndesh me standardet që parashikon Konventa.
Ndoja theksoi se problemi tashmë nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e rregullores, por edhe me pasojat konkrete të saj, pasi bojkoti i avokatëve ka sjellë moszhvillimin e proceseve gjyqësore, duke krijuar probleme me afatet e paraburgimit dhe të drejtat e të pandehurve.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. “Ndaj të njëjtin shqetësim me ju”, deklaroi ai, duke shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë për t'u ulur me palët nëse kërkohet ndërmjetësimi i saj.
Gogu bëri të qartë gjithashtu se, pas ratifikimit të Konventës, institucionet e drejtësisë do të duhet të reflektojnë standardet e saj në aktet ligjore dhe nënligjore. Kjo hap rrugën që edhe rregullorja e GJKKO-së të përballet me standardet e reja evropiane për mbrojtjen dhe ushtrimin e profesionit të avokatit. Shqipëria e ka çuar tashmë për ratifikim në Kuvend këtë Konventë.






















