
Megjithëse Partia "Mundësia" e Agron Shehajt numëron dy deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, institucionet shtetërore nuk i kanë dhënë ambiente për t'i përdorur si zyra.
Në shkresën zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Partisë "Mundësia", siguruar nga VNA, Ministria e Brendshme citon kuadrin ligjor për garantimin e lehtësirave për partitë politik dhe thotë se pas verifikimeve me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, nuk ka ambiente të lira në pronësi të shtetit që mund t'i vihen në dispozicion kësaj force politike:
"Në zbatim të ligjit të sipërcituar, pas plotësimit dhe përcjelljes së dokumentacionit të hollësishëm për llojin e dokumenteve... Ministria e Punëve të Brendshme i është drejtuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për informacion mbi disponueshmërinë e pronave shtetërore të lira dhe të përshtatshme për këtë qëllim. Në vijim... Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka informuar se nuk disponon prona apo ambiente të lira shtetërore që mund të vihen në dispozicion për selinë qendrore të partisë suaj."
Për këtë arsye, udhëzohet se struktura përgjegjëse njofton partinë politike që ta marrë vetë me qira ndërtesën për selinë e saj qendrore:
"Referuar pikës 11 të VKM-së Nr. 255, datë 20.04.2023... përcaktohet se: 'Kur nuk ka ndërtesa të lira, struktura përgjegjëse në Ministrinë e Brendshme apo bashki, njofton partinë politike për të drejtën për të marrë me qira ndërtesa për selinë qendrore apo zyrat vendore, të paguar nga shteti...'."
Në përmbyllje të shkresës, Ministria e Brendshme sqaron edhe procedurën financiare për mbulimin e shpenzimeve të qirasë:
"Sqarojmë se, mbulimi i efektit financiar për pagesën e qirasë nuk përballohet nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Referuar pikës 12 të VKM-së Nr. 255, datë 20.04.2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton masën konkrete të fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore, i cili përdoret edhe për mbulimin e shpenzimeve të qirasë."
Ministri Demo i thotë Agron Shehajt se për këtë çështje, në vijim duket të komunikojë me ministrin e financave, Malaj.























