Ish-trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric, ka ndryshuar skuadër dhe do ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite. Trajneri kroato-gjerman ka firmosur me Al-Bukayriyah, klub që garon në Ligën e Parë të Arabisë Saudite.
Brdaric së fundmi ishte në drejtimin e Malishevës në Superligën e Kosovës, nga ku u largua pavarësisht nisjes së mirë të sezonit. Tashmë ai do të jetë në krye të skuadrës saudite, e cila ka zyrtarizuar marrëveshjen me trajnerin.
“Menaxhmenti i klubit Al-Bukayriyah ka finalizuar procedurat e kontratës me trajnerin gjerman Thomas Brdaric për të marrë përsipër drejtimin e ekipit të parë të Al-Bukayriyah”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Al-Bukayriyah po kalon një moment të vështirë në kampionat. Pas gjashtë xhirove, skuadra renditet në vendin e 17-të, atë të parafundit, me vetëm dy pikë të grumbulluara dhe ende pa asnjë fitore.
Brdaric ka një eksperiencë të gjerë në futbollin shqiptar dhe kosovar. Përveç Vllaznisë dhe Malishevës, ai ka drejtuar edhe Shkëndijën dhe Drenicën.
Tashmë, trajneri kroato-gjerman do të tentojë të ndryshojë situatën te Al-Bukayriyah dhe të rikthejë skuadrën te rezultatet pozitive në Ligën e Parë të Arabisë Saudite.






















