Kosova po përjeton një tjetër ngjitje historike në futbollin ndërkombëtar. Pas rezultateve të fundit, “Dardanët” janë ngjitur në mënyrë të përkohshme në vendin e 76-të në renditjen botërore të FIFA-s, duke kaluar Izraelin dhe Bolivinë. Renditja e re, e cila pritet të zyrtarizohet nga FIFA më 7 tetor, e vendos Kosovën për herë të parë në këtë pozicion.
Sipas përditësimit, Kosova ka grumbulluar 1324.46 pikë dhe është ngjitur me dy pozicione krahasuar me renditjen e mëparshme, ku ndodhej në vendin e 78-të. Izraeli është aktualisht në vendin e 77-të, ndërsa Bolivia në të 78-in.
Ky progres tregon edhe një herë rritjen e vazhdueshme të përfaqësueses së Kosovës në vitet e fundit. “Dardanët” e mbyllën vitin 2025 në vendin e 80-të, ndërsa në fund të vitit 2024 renditeshin të 99-tët. Një vit më herët, në 2023, Kosova ishte në pozitën e 101-të, ndërsa në vitin 2022 në vendin e 107-të.
Përparimi është edhe më i madh nëse krahasimi bëhet me vitin 2017, kur Kosova renditej në vendin e 177-të. Kjo do të thotë se brenda më pak se një dekade, përfaqësuesja kosovare ka bërë një ngjitje prej më shumë se 100 pozicionesh në renditjen botërore.
Nëse pozita e 76-të konfirmohet nga FIFA në përditësimin zyrtar, ajo do të përbëjë një tjetër pikë kulmore për futbollin kosovar. “Dardanët” do të kenë gjithashtu mundësinë ta përmirësojnë më tej këtë pozicion me rezultatet e ndeshjeve të ardhshme ndërkombëtare.
Ngjitja e Kosovës në renditjen FIFA pasqyron progresin e bërë nga përfaqësuesja në vitet e fundit dhe konsolidimin e saj gjithnjë e më pranë ekipeve të renditura më lart në futbollin europian.






















