Rajoni 6 October 2026, 17:25 Nga VNA

Hamza i përgjigjet Kurtit: Çështja e Presidentit dhe ligji për Specialen nuk janë të ndërlidhura

Ndaje në Whatsapp
Hamza i përgjigjet Kurtit: Çështja e Presidentit dhe ligji

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka dalë sërish në konferencë për media, ku ka përsëritur qëndrimin e PDK-së lidhur me çështjen e Presidentit dhe miratimin e projektligjit për Gjykatën Speciale.

Hamza tha se qëndrimi i PDK-së është “konsistent” dhe se këto dy çështje “nuk janë të ndërlidhura”. Ai theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e popullit të Kosovës nuk është çështje vetëm e PDK-së, duke shtuar se as projektligji i propozuar nuk duhet të konsiderohet si nismë ekskluzive e kësaj partie.

“Unë konsideroj që nuk duhet që veç Partia Demokratike e Kosovës me folë për mbrojtjen e një lufte të drejtë, të imponuar, çlirimtare, për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë politike”, deklaroi Hamza.

Kreu i PDK-së tha gjithashtu se deklarata e përbashkët e miratuar në Kuvend nuk i përket vetëm kësaj partie.

“Ligji do, kërkon drejtësi. Drejtësi për njerëzit që janë në këtë proces”, u shpreh ai, duke iu referuar kërkesës për miratimin përfundimtar të projektligjit për Gjykatën Speciale.

Duke komentuar “katër hapat” e përmendur nga kryeministri Albin Kurti, Hamza tha se deri tani nuk ka rezultat përfundimtar.

“Katër hapa… Asnjë hap. Nëse s’ka rezultat final, nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet dhe përfundimisht, nuk ka, nuk prodhon efekt juridik”, tha Hamza.

Ai shtoi se nëse projektligji nuk miratohet përfundimisht dhe vendi shkon në zgjedhje, procesi do të duhet të nisë nga fillimi.

“Ligji nëse nuk aprovohet përfundimisht dhe shkojmë në zgjedhje, ai kthehet nga fillimi”, deklaroi Hamza.

Video

Propaganda e tij s’njeh as qeli: Erion Veliaj vijon “fushatën” edhe nga burgu.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme