Rajoni 5 October 2026, 23:06 Nga VNA

Prishtina në flakë për Specialen! Përplasje me Policinë, gaz lotsjellës e topa uji, 12 të lënduar dhe arrestohet nipi i Thaçit

Ndaje në Whatsapp
Prishtina në flakë për Specialen! Përplasje me

Prishtina është përfshirë nga tensione të forta mbrëmjen e së hënës, 5 tetor, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të përfundonte votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Situata u përshkallëzua pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së u larguan nga salla pa përfunduar votimin përfundimtar, ndërsa protestuesit, të cilët prej mëngjesit kërkonin miratimin e ndryshimeve, kundërshtuan largimin e tyre. Projektligji kishte kaluar më herët në parim me 91 vota pro.

 Me kalimin e orëve, para Kuvendit shpërthyen përplasje mes protestuesve dhe Policisë. Nga turma u hodhën mjete piroteknike dhe shishe, ndërsa forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës, sprej dhe topa uji. Rrugët pranë Kuvendit u bllokuan, disa kontejnerë mbeturinash u përfshinë nga flakët, ndërsa sipas deputetëve që ndodheshin brenda institucionit, gazi lotsjellës depërtoi edhe në ambientet e Kuvendit.

Policia e Kosovës deklaroi se ndërhyrja ishte e nevojshme për të mundësuar daljen e deputetëve dhe zyrtarëve, të cilët po pengoheshin nga një grup protestuesish. Forcat e rendit i larguan protestuesit nga sheshi “Skënderbeu”, përmes “Nënë Terezës”, drejt sheshit “Zahir Pajaziti”, ndërsa përplasjet vijuan me grupet që tentonin të riktheheshin pranë Kuvendit.

Nga incidentet 12 persona kërkuan ndihmë mjekësore. Shefi i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se 11 prej tyre ishin civilë dhe një pjesëtar i Policisë. Shumica u trajtuan për pasojat e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës, ndërsa tre persona kishin plagë prerëse në pjesë të ndryshme të trupit. Të gjithë pacientët u liruan nga spitali dhe asnjëri nuk ishte në rrezik për jetën.

Gjatë zhvillimeve pranë Kuvendit u raportua gjithashtu arrestimi i nipit të ish-presidentit Hashim Thaçi. Tensionet morën edhe dimension politik, pasi deputetë të PDK-së dhe AAK-së iu bashkuan protestuesve. Mes tyre ishte kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, kritikoi ndërhyrjen e Policisë duke iu drejtuar efektivëve me fjalët: “E keni tepruar”. PDK akuzoi Policinë për përdorim joproporcional të forcës dhe kërkoi përgjegjësi nga Qeveria. PDK dhe AAK kërkuan njëkohësisht rikthimin e deputetëve në sallën e Kuvendit për përfundimin e votimit. “Unë besoj se në çdo orë mund të kthehemi në Kuvend dhe ta votojmë ligjin”, deklaroi Haradinaj.

Në themel të ngërçit politik qëndrojnë dy votime të lidhura tashmë mes tyre: ndryshimet për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje kërkon që fillimisht të zgjidhet presidenti, pasi afati kushtetues përfundon më 6 tetor, dhe më pas të përfundojë votimi për Specialen.

PDK kërkon të kundërtën, duke insistuar që fillimisht të miratohen ndryshimet për Specialen dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit. Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilluan një takim pasditen e së hënës në përpjekje për të gjetur një kompromis, por bisedimet përfunduan pa marrëveshje.

Pas një dite të shoqëruar nga votimi i 91 deputetëve në parim, protesta dhe përplasje në rrugët e Prishtinës, ndryshimet për Dhomat e Specializuara mbeten pa miratim përfundimtar, ndërsa palët politike vazhdojnë të jenë të ndara për rendin e dy votimeve vendimtare në Kuvend.

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme