
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nuk ka pritur asnjëherë drejtësi nga Gjykata Speciale, ndërsa bëri të ditur se Qeveria do të shqyrtojë nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Duke folur pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se nisma është duke kaluar procedurat përkatëse dhe se pritet mendimi juridik i Ministrisë së Drejtësisë, si dhe vlerësimi financiar nga Ministria e Financave. Sipas tij, përgjigjja ndaj Kuvendit pritet të jepet brenda kësaj jave.
Duke komentuar vendimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Kurti përsëriti qëndrimin e tij kritik ndaj Gjykatës Speciale.
“Asnjëherë s’kam pritur drejtësi. Asnjëherë s’e kam ndryshuar këtë qëndrim për gjykatën”, deklaroi Kurti, duke kundërshtuar cilësimin për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe duke ngritur pretendime për mungesë transparence dhe pasaktësi faktike e historike në aktgjykim.
Nisma e PDK-së parashikon ndryshime në ligjin për Specialen, përfshirë kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të çështjeve që, sipas propozimit, do të konsideroheshin jashtë juridiksionit të rishikuar të Dhomave të Specializuara.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet për disa akuza për krime lufte. Vendimi është i shkallës së parë dhe të katër ish-krerët e UÇK-së kanë paralajmëruar apelimin e tij.






















