Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se zhvillimet politike pas 16 shtatorit kanë krijuar një situatë të re, e cila, sipas tij, do të merret në konsideratë edhe në përcaktimin e qëndrimit të PDK-së për zgjedhjen e Presidentit.
Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza u pyet nëse partia do ta ndryshojë qëndrimin e saj për Presidentin, në raport me rrethanat e reja politike të krijuara pas 16 shtatorit.
Hamza tha se tashmë vendi ndodhet në një situatë tjetër dhe se PDK-ja do t’i përshtatë qëndrimet e saj në varësi të zhvillimeve dhe interesit shtetëror.
“Jemi në rrethana të reja. Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit”, deklaroi Hamza.
Ai shtoi se pikërisht mbi bazën e këtyre rrethanave, PDK-ja mund të ndryshojë apo përshtatë qëndrimet e saj për çështje që lidhen me të ardhmen dhe stabilitetin e Kosovës.
“Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit”, u shpreh kreu i PDK-së.
I pyetur nëse PDK-ja do të mbështeste një kandidat për President të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hamza nuk dha një përgjigje konkrete, duke theksuar se nuk dëshiron të komentojë skenarë hipotetikë pa u paraqitur një propozim konkret.
“Nuk mund tw flas mbi rrethana hipotetike, para se me ardhë kjo temë”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së bëri të ditur gjithashtu se është i gatshëm të vijojë komunikimin dhe takimet me liderët e partive politike, duke theksuar se tashmë ka zhvilluar takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini.
“Unë jam takuar dhe jam i gatshëm me u takuar, jam takuar me kryetarët e tri partive politike, edhe me zotin Kurti, edhe me zotin Abdixhiku, edhe me zotin Gjini, jam në komunikim dhe është krejt normale që për tema kaq të rëndësishme, sfiduese e kaq të rëndësishme për vendin që të ketë takime”, deklaroi Hamza.
Deklaratat e Hamzës sinjalizojnë se PDK-ja po e lë të hapur qëndrimin e saj për procesin e zgjedhjes së Presidentit, ndërsa zhvillimet politike pas 16 shtatorit mund të ndikojnë në pozicionin që partia do të mbajë në vijim.






















