
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, ka reaguar ndaj deklaratës së Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kos deklaroi pas vendimit se Dhomat e Specializuara janë një “organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur”, ndërsa theksoi se çështja lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Mishetiç kundërshtoi këtë qëndrim, duke argumentuar se çështja e paanshmërisë së Dhomave të Specializuara në rastin e Thaçit mbetet ende për t’u përcaktuar.
“Nuk i takon Marta Kosit që ta paragjykojë këtë çështje”, shkroi avokati, duke iu referuar gjithashtu një raporti të Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit, i cili, sipas tij, ka ngritur pikëpyetje mbi paanshmërinë e gjyqtarëve në këtë proces.
Raporti i përmendur nga Mishetiç ka ngritur shqetësime lidhur me garancitë procedurale dhe respektimin e së drejtës për një proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm.
Reagimi vjen pasi më 16 shtator Marta Kos bëri thirrje që vendimi i Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së të respektohet. Mbrojtja e Thaçit ka njoftuar ndërkohë se do ta apelojë vendimin e shkallës së parë.






















