
Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënuan me 81 vite burg në total katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Uashingtoni deklaroi se respekton aktgjykimin dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të pranojnë vendimin e gjykatës.
Në një reagim të Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë, SHBA-ja theksoi mbështetjen për drejtësinë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, si dhe për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.
Uashingtoni u bëri gjithashtu thirrje palëve që të shmangin retorikën nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit dhe të vazhdojnë të punojnë për një të ardhme paqësore dhe demokratike.
Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë katër ish-krerët e UÇK-së për katër akuza për krime lufte, ndërsa i shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite.
Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet nga mbrojtja.






















