Komisioni Europian ka prezantuar një nga nismat më të forta deri më tani për mbrojtjen e fëmijëve në internet, duke propozuar ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç dhe kufizimin e ndjeshëm të përdorimit të tyre deri në moshën 15 vjeç.
Propozimi, i quajtur “EU KIDS Act”, u miratua nga Komisioni Europian më 17 shtator dhe synon të vendosë rregulla të njëjta në të gjithë Bashkimin Europian për mënyrën se si fëmijët dhe adoleshentët mund të përdorin rrjetet sociale dhe shërbimet e tjera online.
Sipas planit, fëmijët nën 13 vjeç nuk do të lejohen të kenë llogari në rrjetet sociale. Për moshat 13 dhe 14 vjeç do të lejohen vetëm llogari të kufizuara, të hapura dhe të mbikëqyrura nga prindërit ose kujdestarët.
Këto llogari do të kenë funksione të kufizuara dhe një limit përdorimi deri në një orë në ditë. Prindërit do të kenë gjithashtu kontroll mbi kontaktet dhe mënyrën se si fëmijët e tyre përdorin platformat.
Nga mosha 15 vjeç, adoleshentët do të mund të hapin dhe menaxhojnë vetë llogaritë e tyre, por platformat do të jenë të detyruara të ofrojnë masa të posaçme sigurie për përdoruesit nën 18 vjeç.
Nisma nuk prek vetëm rrjetet sociale. Rregullat përfshijnë gjithashtu platformat e videove, lojërat online, dyqanet e aplikacioneve, si dhe chatbot-et dhe shërbimet e inteligjencës artificiale që përdoren nga të miturit.
Komisioni kërkon që platformat të kufizojnë mekanizmat që nxisin përdorimin e tepruar, përfshirë “infinite scroll”, njoftimet që synojnë t’i rikthejnë vazhdimisht fëmijët në aplikacion dhe sisteme të tjera shpërblimi që mund të krijojnë varësi.
Profilet e të miturve do të duhet të jenë private si standard, ndërsa kontakti i pakërkuar nga persona të panjohur do të kufizohet. Platformat duhet gjithashtu t’u ofrojnë fëmijëve mënyra të thjeshta për të bllokuar ose heshtur përdorues të tjerë.
Një pjesë e rëndësishme e planit lidhet me verifikimin e moshës. Vetëdeklarimi i datëlindjes nuk do të konsiderohet më i mjaftueshëm. Platformat dhe dyqanet e aplikacioneve do të duhet të përdorin sisteme të verifikimit të moshës, të projektuara në mënyrë që të mbrojnë privatësinë e përdoruesve.
Rregulla të posaçme parashikohen edhe për inteligjencën artificiale. Chatbot-et dhe të ashtuquajturit “AI companions” nuk duhet të projektohen në mënyrë që të krijojnë varësi emocionale te fëmijët dhe, në shërbimet e përdorura nga të miturit, disa prej këtyre funksioneve duhet të jenë të çaktivizuara si parazgjedhje.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se teknologjitë me të cilat ndërveprojnë sot fëmijët nuk janë krijuar duke pasur mirëqenien e tyre si prioritet.
Me rregullat e reja, Brukseli synon të ndryshojë edhe barrën e përgjegjësisë: nuk do t’u takojë vetëm autoriteteve apo prindërve të provojnë se një platformë është e dëmshme, por kompanive teknologjike t’u dëshmojnë autoriteteve se shërbimet e tyre janë të sigurta për fëmijët.
Për kompanitë që shkelin rregullat parashikohen masa të forta. Sipas propozimit, gjobat mund të arrijnë deri në 6% të xhiros totale vjetore globale.






















