Mbreti Charles III ka ndërmarrë hapin e pazakontë për t’iu përgjigjur publikisht kritikave të Charles Spencer, vëllait të Princeshës Diana, lidhur me sjelljen e tij në ditët pas vdekjes së saj në vitin 1997.
Akuzat e Spencer përmbahen në një libër që pritet të publikohet së shpejti dhe lidhen veçanërisht me debatin që shpërtheu në familje për funeralin e Dianës dhe vendimin që djemtë e saj, princat William dhe Harry, të ecnin pas arkivolit të nënës së tyre.
Sipas një raportimi të Daily Mail, që nis publikimin në seri të librit të enjten, Spencer pretendon se Charles, në atë kohë Princi i Uellsit, i kishte thënë gjatë një debati: “Ji i qetë, do ta harrojmë shumë shpejt.”
Komenti i pretenduar është bërë gjatë një përplasjeje mes tyre pikërisht për pjesëmarrjen e William dhe Harry në kortezhin funeral. Spencer kundërshtonte që dy djemtë, atëherë vetëm 15 dhe 12 vjeç, të ecnin pas arkivolit të nënës së tyre.
Buckingham Palace, i pyetur për pretendimet, dha një përgjigje jashtëzakonisht të rrallë, duke iu referuar drejtpërdrejt gjendjes emocionale dhe kujtesës së vëllait të Dianës.
“Ndërsa si çështje parimore nuk komentojmë libra, Madhëria e Tij është i vetëdijshëm se dhimbja e humbjes së një motre mund të turbullojë arsyen, të ndikojë në gjykim dhe të ngjyrosë kujtesën në mënyra që të tjerët nuk i dallojnë, edhe shumë vite pas një humbjeje të tillë”, deklaroi një zëdhënës i Buckingham Palace.
Diana humbi jetën në moshën 36-vjeçare në Paris, në vitin 1997, kur makina ku udhëtonte së bashku me Dodi al-Fayed u përplas ndërsa largohej me shpejtësi, e ndjekur nga fotografë paparacë me motorë.
Diana dhe Charles ishin martuar në vitin 1981, në një ceremoni që u ndoq në të gjithë botën. Marrëdhënia e tyre u përkeqësua gjatë viteve dhe çifti u divorcua zyrtarisht në vitin 1996, një vit përpara vdekjes së Dianës.
Përpara publikimit të librit, Charles Spencer ka shpjeguar edhe arsyen pse ka vendosur të rikthehet publikisht te historia e motrës së tij.
“Qëllimi i këtij libri është të tregojë të vërtetën për Dianën nga këndvështrimi i vëllait të saj… Dua të flas në emër të Dianës dhe ta bëj këtë në një mënyrë haptazi pozitive”, ka thënë Spencer.
Përgjigjja e Pallatit e rikthen kështu, pothuajse tri dekada pas vdekjes së Princeshës Diana, një nga episodet më të dhimbshme dhe më të debatuara të historisë moderne të familjes mbretërore britanike.






















