
Partia Socialiste ka refuzuar në Konferencën e Kryetarëve kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor mbi veprimtarinë e kompanisë shtetërore "KAYO".
Kërkesa e opozitës u zyrtarizua pas publikimit në media të disa përgjimeve me pretendimet për përfshirjen e kompanisë në trafik armësh me vende në konflikt.
Gjatë mbledhjes, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Deklaratat kryesore të Gazment Bardhit:
"Kompania KAYO ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Çdo shqiptar duhet të dijë se si i mori ato para miku i Edi Ramës, Ron Yeffet."
"I vetmi fitues i këtyre parave rezulton të jetë Ron Yeffet. Ai sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik armësh. Kjo del hapur në audio-përgjim, i cili u konfirmua nga vetë kompania ku është bërë regjistrimi."
"Në interpelancë, ministri tha se kompania ka prodhuar dhe shitur armë. Më pas doli zëvendësministrja dhe tha se nuk është prodhuar gjë. Duhet mësuar e vërteta."
"Refuzohet dhënia e informacionit nga Ministria e Mbrojtjes. Komisioni hetimor është e vetmja rrugë, sepse i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet dokumentacioni. Ne duam të njohim kontratat mes kompanisë shtetërore dhe asaj private."
"Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Jemi të hapur për të diskutuar objektin e hetimit."
Pavarësisht argumenteve të opozitës dhe thirrjes për të diskutuar objektin e hetimit, mazhoranca socialiste e votoi kundër kërkesës, duke bllokuar kështu nisjen e hetimeve parlamentare për këtë çështje.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me shoqërinë “KAYO” Sh.A. nuk përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore të parashikuara për ngritjen e një komisioni të tillë.
Sipas Ballës, nga pikëpamja përmbajtësore, kërkesa nuk individualizon një “çështje të veçantë”, siç kërkohet nga Kushtetuta, pasi objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë dhe përfshin një sërë çështjesh të ndryshme, pa përcaktuar qartë faktet konkrete që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar.
Ai theksoi se në kërkesë nuk janë identifikuar veprime apo mosveprime konkrete të zyrtarëve publikë, aktet apo kontratat që pretendohet se janë të paligjshme, si dhe periudha kohore ku duhet të shtrihet hetimi. Sipas Ballës, objekti i propozuar synon kontrollin e përgjithshëm të veprimtarisë së shoqërisë dhe jo hetimin e një çështjeje të individualizuar me rëndësi të veçantë publike.






















