Pas sekuestrimit të pijeve alkoolike dhe pajisjeve wifi në ambjentet e paraburgimit të Bradasheshit, ku ndër të tjerë mbahen të izoluar Ergys Agasi, që dyshohet si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda AKSHI dhe biznesmeni Orest Sota, i arrestuar në kuadër të dosjes Aruba, Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka urdhëruar kontrolle në të gjitha burgjet dhe paraburgimet në vend.
Lidhur me kontrollet në Bradashesh, pajisjet wireless që u sekuestruan u dërguan në laboratorin e specializuar të SPAK, ndërsa për pijet është bërë referim në prokurorinë e Elbasanit, për veprën penale të futjes së sendeve të paligjshme në burg.
Lidhur me kontrollet e reja, në paraburgimin e Durrësit, ku mbahen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion, mes tyre dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, është gjetur dhe sekuestruar një celular. Ndërkohë që sende të paligjshme janë gjetur dhe në burgjet e tjera, por kontrolli është duke vijuar ndërkohë.






















