
Kadastra, shëndetësia, gjendja civile dhe bashkitë vijojnë të jenë ndër institucionet që prodhojnë më shumë problematika dhe ankesa nga qytetarët. Këtë panoramë e bëri të qartë drejtori i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Angelo Koleka, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Koleka evidentoi veçanërisht problematikat me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të cilën e cilësoi si shqetësimin kryesor të institucionit që drejton. Probleme, sipas tij, ka edhe me gjendjen civile, tatimet, privatizimin e tokave bujqësore, shpërndarjen e fondeve të tërmetit, IKMT-në dhe bashkitë.
“ASHK është problematika kryesore e agjencisë sonë, gjendja civile për Ministrinë e Brendshme, pjesa e tatimeve, privatizimet e tokave bujqësore, alokimi i fondeve të tërmetit dhe IKMT. Kemi pasur probleme dhe kjo lidhet me bashkitë. IMT dhe bashkitë japin leje dhe më pas refuzojnë dhe kërkojnë prishjen. Më pas ka vonesa shkresash”, deklaroi Koleka.
Por mes problemeve me pronat, certifikatat, shëndetësinë dhe institucionet vendore, kreu i komisionit, Fatmir Xhafaj e uli diskutimin disa kate më poshtë, te një lokal nën pallat dhe muzika e tij e lartë.
Xhafaj tregoi rastin e një qytetari në zonën ku është deputet, i cili ishte ankuar disa herë për muzikën e lartë të lokalit. Sipas tij, policia ndërhynte pas ankesës dhe aktiviteti ndërpritej, por vetëm për pak ditë, për t’u rikthyer më pas në të njëjtën situatë.
Koleka pranoi se edhe ndotja akustike është një problem që përplaset kryesisht te bashkitë. Sipas tij, ndërhyrjet shpesh sjellin vetëm një zgjidhje të përkohshme, pasi bllokimi zgjat disa ditë dhe më pas aktiviteti problematik rifillon.
I pyetur nga Xhafaj se cilat janë tri çështjet dhe institucionet që kërkojnë ndërhyrje të veçantë, Koleka riktheu vëmendjen te problemet më të mëdha të qytetarëve, Kadastra dhe çështjet e pronësisë, shëndetësia dhe zyrat e gjendjes civile.






















