Teksa udhëtonte drejt Beratit, Edi Rama zgjodhi të komentojë sërish problematikën e lindur mes gjyqësorit dhe qeverisë për çështjen e pagave. Ai akuzoi KLGJ-në dhe KLP-në si dy shëmbëlltyrat më të errëta të reformës në drejtësi.
“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë, që është i pavarur”, deklaroi Rama.
“Si mundet që gjëja e parë që bëmë, u kuturisëm të marrim një vendim në mes të verës dhe të nxjerrim një urdhër që është zanafilla e këtij konflikti: pagat janë këto dhe Thesari i Shtetit të hapë derën. Le të themi se kanë të drejtë, por le të themi, kjo është mënyra, rruga, shembulli? Këtë u mësojmë ne, të tërë së bashku, njerëzit e drejtësisë, qytetarëve shqiptarë? Kështu kërkohet e drejta? Në mënyrë të njëanshme? Pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? Ne jemi përfaqësues apo tri shtete në konflikt? Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Janë republikat e ndara të një federate që vjen nga lufta etnike dhe fetare? Çfarë ndodh këtu?”, shtoi më tej kryeministri.
Kryeministri pranoi se Kuvendi shkeli afatin e caktuar nga Kushtetuesja, por tha se, pavarësisht kësaj, çështja do të duhej të ishte zgjidhur përmes dialogut.
“Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti, në një rrugë jo të lehtë shtetbërjeje, me përgjegjësinë e dhënies së shembullit për të tjerët se në çdo hap japim një shembull për të tjerët, dhe ulet e thuhet: ne kemi këtë shqetësim, ka një vendim të Kushtetueses që ne, si pushtet ekzekutiv e legjislativ, s’kemi asnjë qëllim dhe as na shkon në mend të mos e respektojmë, por ka edhe një afat, 31 korriku, që nuk u përmbush dot për shkak të procesit parlamentar dhe duam të dimë si e keni ju këtë ide, do ta respektoni këtë vendim? Kur keni ndërmend ta respektoni? Pasi të dëgjonit anën tonë, mund të vazhdonit të bënit të tyren si t’ju thoshte mendja”, theksoi shefi i qeverisë.
Ai akuzoi më tej njerëzit e drejtësisë si “partia e çekiçëve”.
“Gjëja e parë që ju vajti në mend është t’i dilni përballë dhe ta sfidoni me një formë kaq brutale? Vetë zot, vetë shkop? Ça jeni ju, partia e çekiçëve? I keni për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike? Për të kërcënuar ministrin e Financave, drejtorët e Thesarit? Ça janë ata, roje magazinash pa zot?”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se situata e krijuar është sa e shëmtuar, aq edhe vulgare, pasi një pushtet i pavarur duhet të japë shembull për qytetarët dhe të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e, mbi të gjitha, për vetveten.






















