Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e kaluar në fshatin Urakë të Matit. Rreth orës 23:10 të mbrëmjes, persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.), i parkuar në oborrin e banesës.
Policia njoftoi se nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas sinjalizimit për të shtëna, policia ushtroi kontrolle në të gjithë zonën dhe rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, zbuluan një automjet tip “Golf V” të djegur, i cili dyshohet të jetë përdorur në ngjarje. Policia bëri me dije se brenda automjetit u gjetën dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht.
“Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Golf”, i konstatuar i djegur, ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më datë 31.07.2025, pasi kishte bërë kallëzim pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, se i kishin vjedhur këtë automjet”, njoftoi policia.
Grupi hetimor është duke hetuar për të hedhur dritë mbi motivet e ngjarjes.






















