
Nga dosja hetimore e SPAK, që sekuestroi një vilë luksoze që dyshohet se është pasuri e fshehur e Belinda Ballukut, dalin në dritë të tjera detaje.
Në një fragment, punonjësit e shoqërisë ndërtuese të biznesmenit Samir Mane iu komunikojnë vëllezërve Eftimi të kompanisë Atelier 4 që në projektin e tyre për vilën ka ndryshime që dalin përtej lejes së ndërtimit.
Në datën 1 tetor 2020, nga adresa e një punonjëseje të kompanisë Mane TCI, dërgohet një email te një punonjëse e kompanisë Atelier 4, konkretisht edhe te dy vëllezërit Alban dhe Olsi Eftimi.
“Përshëndetje I….
Në projektin që keni sjellë ka ndryshime të konsiderueshme edhe në volumtarinë e vilës. Këto ndryshime janë përtej asaj që ne kemi mbyllur në lejen e ndërtimit, sipas urdhrit nga investori.
Në këto kushte do të duhet një dakordësi e re.
Mbetemi në kontakt….”
Nuk dihet nëse vila është ndërtuar realisht në shkelje të lejes së ndërtimit, por komunikimi në fjalë përmes emailit e evidenton këtë fakt.
Vila luksoze, sipas SPAK, është përfituar nga ish-zv.kryeministrja si ryshfet nga biznesmeni Arbër Abazi, kompaninë e të cilit, Alko Impex General Construction, e ushqente me tendera kur drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës. Partnerja e Abazit, njëherazi lidhje familjare e Ballukut, ka ndjekur ecurinë e punimeve të vilës në bregdetin e Palasës.
SPAK ka ngritur akuzë për korrupsion edhe për Abazin, ndërsa kompania Alko Impex General Construction po hetohet për pastrim parash. Vila në Palasë është e dyta e sekuestruar si pasuri e fshehur e Ballukut; më herët është sekuestruar një tjetër vilë në Dhërmi.






















