
Ilir Panda, gjyqtar i Gjykatës së Lartë prej 11 marsit 2020, ka shprehur interes për të marrë drejtimin e kësaj gjykate.
Panda aktualisht mban detyrën e zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë, post në të cilin është zgjedhur më 16 nëntor 2023 nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve.
Gara për kryetarin e ri të Gjykatës së Lartë u hap në mesin e muajit gusht, pasi mandati 3-vjeçar i kryetarit aktual, Sokol Sadushi, përfundon më 17 tetor.
Sot është afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit nga kandidatët. Sipas rregullave, të drejtë kandidimi kanë vetëm gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.
Deri në orën 24:00 pritet të shihet nëse do të ketë edhe magjistratë të tjerë që do të shprehin interes për këtë pozicion.
Kryetari i ri i Gjykatës së Lartë pritet të nisë ushtrimin e detyrës më 18 tetor, duke garantuar vijimësinë institucionale në drejtimin e gjykatës.






















