
Një paralajmërim që sot tingëllon tronditës ishte vendosur në fund të një raporti të përditshëm të inteligjencës për presidentin Bill Clinton, më 10 shtator 1998: një grup i lidhur me liderin e Al-Kaedës, Osama bin Laden, “mund të përplasë një avion të mbushur me eksploziv në një qytet amerikan”.
Në fund, nuk pati eksplozivë. Pati katër avionë. Dy u përplasën në kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, një në Pentagon, në Washington, dhe një tjetër, që besohet se kishte si objektiv Kapitolin, u rrëzua në një fushë në Pennsylvania pasi pasagjerët u përleshën me terroristët.
CIA ka deklasifikuar dhe publikuar më shumë se 100 faqe me raporte ditore presidenciale që u janë dorëzuar presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush, lidhur me kërcënimin nga Al-Kaeda dhe Osama bin Laden para sulmeve të 11 shtatorit.
Dokumentet japin për herë të parë për publikun amerikan një pamje të drejtpërdrejtë të informacionit që kishin parë dy presidentë, por mbi të cilin nuk u arrit të veprohej në kohë.
Ato tregojnë një seri paralajmërimesh të përsëritura ndër vite se Bin Laden po shqyrtonte mundësinë e një sulmi brenda Shteteve të Bashkuara ose kundër objektivave amerikane jashtë vendit. Në dokumente përmenden sinjale të ndryshme inteligjence: plane të mundshme për të sulmuar një qendër tregtare në Washington, për të siguruar materiale për bombë bërthamore, për të kryer sulme me armë kimike ose për të rrëmbyer një amerikan, emri i të cilit mbetet i redaktuar.
Publikimi nuk ndryshon në thelb atë që historianët e inteligjencës dinë për dështimin amerikan para 11 shtatorit. Raporti i Komisionit Kombëtar për Sulmet Terroriste në SHBA, i vitit 2004, kishte arritur në përfundimin se komuniteti i inteligjencës kishte paralajmëruar dy administrata të njëpasnjëshme për kërcënimin nga Al-Kaeda, por nuk kishte arritur të parashikonte dhe të komunikonte siç duhet shkallën dhe urgjencën e rrezikut.
Një nga problemet kryesore ishte ndarja e informacionit mes agjencive. Aparati amerikan i inteligjencës funksiononte në mënyrë të copëzuar, duke penguar analistët në institucione të ndryshme të lidhnin pjesët e mozaikut në një tablo të qartë.
Sipas studiuesve të asaj periudhe, CIA ndodhej edhe vetë në një moment pasigurie të madhe. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, arsyeja kryesore historike e ekzistencës së saj ishte zhdukur dhe agjencia ende po kërkonte drejtimin e ri. Njësia brenda CIA-s që ndiqte Bin Ladenin, e njohur si “Alec Station”, ishte e vogël.
“Edhe nëse një pjesë e agjencisë bërtet për një kërcënim, CIA mbetet një organizatë shumë e madhe”, ka thënë Jeffrey Rogg, historian i komunitetit të inteligjencës në Universitetin e Teksasit në Austin.
Megjithatë, dokumentet përbëjnë një publikim historik të rëndësishëm. Raportet ditore presidenciale konsiderohen ndër materialet më të ndjeshme të inteligjencës amerikane dhe zakonisht ruhen me shumë kujdes nga CIA.
Një nga paralajmërimet më të njohura, i datës 6 gusht 2001, mbante titullin: “Bin Laden i vendosur të godasë në SHBA”. Në të thuhej se anëtarë të Al-Kaedës kishin jetuar ose udhëtuar në Shtetet e Bashkuara “prej vitesh” dhe se grupi “me sa duket mban një strukturë mbështetëse që mund të ndihmojë sulmet”.
Raporti përmendte gjithashtu informacione të FBI-së për “modele aktiviteti të dyshimtë” brenda vendit, të ngjashme me përgatitje për rrëmbime avionësh ose forma të tjera sulmesh, përfshirë vëzhgime të fundit të ndërtesave federale në New York.
Në atë kohë, sipas dokumentit, në SHBA ishin të hapura 70 hetime të lidhura me Bin Ladenin. Por raporti pranonte se autoritetet nuk kishin arritur të verifikonin disa nga informacionet më alarmuese, përfshirë raportimet e vitit 1998 se Bin Laden donte të rrëmbente një avion amerikan.
Dokumenti i fundit i publikuar mban orën 04:00 të mëngjesit të 12 shtatorit 2001, vetëm disa orë pas sulmeve.
Ai citon një arab me bazë në Kandahar, sipas të cilit sulmet kishin qenë rezultat i dy viteve planifikim. Sipas tij, ato ishin vetëm “fillimi i zemërimit”.






















