Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka lidhur luftën e Shteteve të Bashkuara me Iranin me sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001, gjatë ceremonisë përkujtimore për 25-vjetorin e tragjedisë.
Në fjalimin e tij, Hegseth iu referua konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke e paraqitur atë si pjesë të përballjes së gjatë të Uashingtonit me regjimin iranian.
“Gjatë gjashtë muajve të fundit, ne kemi shkatërruar shtetin më të frytshëm sponsor të terrorizmit në botë. Luftëtarët tanë kanë luftuar kundër një teokracie islamike që na ka dëshiruar vdekjen për gati gjysmë shekulli, një regjim që ka mbështetur sulme terroriste ndaj amerikanëve për dekada dhe që brohoriti për 11 Shtatorin”, deklaroi Hegseth.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes shtoi se Irani dhe armiqtë e tjerë të Shteteve të Bashkuara nuk e kishin marrë parasysh administratën aktuale amerikane.
“Por ata nuk e morën parasysh këtë president”, u shpreh Hegseth.
Në fund të fjalimit, ai dha një mesazh të prerë lidhur me luftën dhe përballjen me Iranin.
“Ne do ta përfundojmë këtë betejë”, deklaroi Hegseth.
Deklaratat e tij u bënë gjatë ceremonisë në Pentagon për 25-vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit, ku edhe presidenti Donald Trump e lidhi luftën aktuale me Iranin me kërcënimet ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara.






















