Prej vitesh, përdoruesit e rrjeteve sociale e kanë quajtur Kylian Mbappen me nofkën “Mobutu”, duke e krahasuar sulmuesin e Real Madridit me ish-diktatorin afrikan Mobutu Sese Seko dhe duke sugjeruar se ai sillet si një diktator, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
Ajo që nisi si një meme në internet ka kaluar edhe në stadiume. Tifozët kundërshtarë e kanë përdorur herë pas here këtë nofkë në kor, në përpjekje për të provokuar dhe nxjerrë nga loja kapitenin e kombëtares franceze.
Tashmë, Mbappe ka vendosur të reagojë publikisht ndaj kësaj nofke virale. Në një pjesë të intervistës së dhënë për gazetën franceze “L’Equipe”, sulmuesi i Real Madridit shpjegoi se përse “Mobutu” i duket më shqetësuese sesa argëtuese.
“Një pjesë e saj është qesharake, sepse mund ta kuptosh se për disa njerëz gjithçka bëhet për shaka dhe për argëtim”, tha Mbappe.
Megjithatë, ai theksoi se krahasimi me një diktator nuk mund të merret gjithmonë thjesht si humor.
“Por ka edhe një pjesë që është shumë më pak qesharake, sepse e dimë dëmin që njerëz të tillë kanë shkaktuar gjatë historisë. Të krahasohesh me njerëz që vrasin të tjerët, apo që kanë bërë miliona e miliona njerëz të vuajnë…”, tha ai.
Mobutu Sese Seko sundoi atë që sot njihet si Republika Demokratike e Kongos për më shumë se tri dekada. Regjimi i tij u shoqërua me korrupsion, represion dhe dhunë, duke e bërë emrin e tij sinonim të diktaturës në vendin afrikan.
Mbappe pranoi se e kupton që shumë njerëz e përdorin nofkën “Mobutu” pa ndonjë qëllim të keq dhe vetëm si një formë humori në rrjetet sociale. Megjithatë, ai tha se nuk ndihet rehat me memet që, sipas tij, mund të dëmtojnë reputacionin e tij.
“Nuk mendoj se kam bërë ndonjëherë diçka të tillë në jetën time”, tha kapiteni i Francës.
“Pra, është një përzierje gjërash. Nga njëra anë, e di se bëhet pa ndonjë qëllim të keq dhe nuk shkon aq larg. Por ndonjëherë tregon mungesë të vetëdijes politike dhe njerëzore”, shtoi ai.
Në intervistë, Mbappe foli edhe për një rast më konkret, duke përmendur bashkëlojtarin e tij te kombëtarja franceze dhe mikun e ngushtë, Ousmane Dembele, i cili gjithashtu e ka quajtur me shaka “Mobutu”.
“Është ndryshe me Ousmanen. Ai e mori nga rrjetet sociale. Ai e përdor për t’i bërë njerëzit të qeshin, jo për të lënduar dikë”, tha Mbappe.
Intervista e plotë e yllit francez do të publikohet të shtunën në revistën “France Football” dhe pritet të trajtojë më gjerësisht mënyrën se si Mbappe e përjeton faktin që është kthyer në një prej figurave më të komentuar në rrjetet sociale dhe objekt të vazhdueshëm të memeve dhe krahasimeve virale.






















