Cody Gakpo ka humbur mundësinë për të përfituar më shumë se 15 milionë euro pas dështimit të transferimit të tij nga Liverpooli te Manchester City.
Sipas “De Telegraaf”, sulmuesi holandez kishte arritur një marrëveshje personale me Manchester Cityn dhe ishte i gatshëm të transferohej në “Etihad”. Klubi anglez i kishte ofruar një pagë dukshëm më të lartë se ajo që Gakpo përfiton aktualisht te Liverpooli, me diferencën që, gjatë një kontrate pesëvjeçare, do t’i sillte atij më shumë se 15 milionë euro shtesë.
Transferimi dukej se ishte shumë pranë realizimit. Liverpooli dhe Manchester City kishin zhvilluar negociata për disa javë, ndërsa vlera e marrëveshjes raportohej rreth 100 milionë euro. Gakpo, i cili ishte i interesuar për një kalim te rivali i madh i Liverpoolit, e kishte parë këtë lëvizje si një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Megjithatë, në fund Liverpooli vendosi të mos e lejonte largimin e 27-vjeçarit. Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit nuk dëshironin të forconin një prej rivalëve të tyre kryesorë në Premier League dhe, mbi të gjitha, nuk arritën të siguronin një zëvendësues të përshtatshëm për Gakpon.
Liverpooli kishte afruar Bradley Barcolan nga Paris Saint-Germain, por dëshira për të shtuar një tjetër lojtar ofensiv nuk mjaftoi për të bindur klubin që të finalizonte shitjen e Gakpos. Manchester City, pasi dështoi të siguronte holandezin, u orientua drejt sulmuesit të Evertonit, Iliman Ndiaye.
Kështu, Gakpo do të vazhdojë karrierën në “Anfield”, ndërsa përveç transferimit të dështuar, ai humbi edhe mundësinë për të përfituar një shumë të konsiderueshme nga paga që do të merrte te Manchester City.
Raportimet përmendin gjithashtu se ardhja e Jeff Bezos në strukturën e pronësisë së Liverpoolit mund të ketë ndikuar në qëndrimin e klubit, megjithëse roli i saktë i tij në vendimin për Gakpon mbetet i paqartë.






















