Finalja e Kupës së Botës 2030 pritet të zhvillohet pranë Kazablankës, në Marok, ka deklaruar presidenti i Federatës Mbretërore Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa.
Edhe pse FIFA nuk e ka konfirmuar zyrtarisht stadiumin që do të presë finalen, Lekjaa është shprehur i bindur se ndeshja më e rëndësishme e turneut do të zhvillohet në Marok. Gjatë një tubimi politik në qytetin e Bouznika-s, ai deklaroi se provinca e Benslimane do të ketë “nderin” të presë finalen e Botërorit 2030.
Benslimane ndodhet rreth 60 kilometra nga Kazablanka dhe aty po ndërtohet Hassan II Grand Stadium, një impiant gjigant që pritet të ketë kapacitet rreth 115 mijë spektatorë. Projekti, me një kosto të raportuar prej rreth 12 miliardë dollarësh, parashikohet të përfundojë në vitin 2027.
Nëse përzgjidhet zyrtarisht, stadiumi do të bëhej një prej simboleve kryesore të Botërorit 2030 dhe pritet të jetë stadiumi më i madh në botë i ndërtuar posaçërisht për futboll.
Megjithatë, gara për finalen nuk është mbyllur. Spanja dhe Maroku janë dy kandidatët kryesorë për të pritur ndeshjen finale, ndërsa FIFA ka mohuar më herët raportet se presidenti Gianni Infantino i kishte premtuar Marokut organizimin e finales, duke i cilësuar ato si “të pasakta dhe mashtruese”.
Botërori 2030 do të jetë historik, pasi për herë të parë një Kupë Bote do të zhvillohet në tre kontinente. Tre ndeshjet hapëse do të luhen në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai, ndërsa pjesa kryesore e turneut do të organizohet nga Maroku, Portugalia dhe Spanja.
FIFA ende nuk ka finalizuar të gjitha qytetet dhe stadiumet pritëse, ndaj vendimi përfundimtar për finalen mbetet ende për t’u marrë.






















