Gabriel Jesus ka thyer heshtjen për transferimin e tij të befasishëm nga Arsenali te Barcelona, duke zbuluar prapaskenat e ditëve të fundit në Londër dhe duke kritikuar mënyrën se si klubi anglez e trajtoi largimin e tij.
Sulmuesi brazilian tregoi se e kishte zhvilluar normalisht të gjithë fazën përgatitore me Arsenalin dhe, edhe pse e dinte se mundësitë për të luajtur do të ishin të kufizuara, nuk kishte marrë asnjë njoftim nga drejtuesit për të ardhmen e tij.
“E vërteta është se po stërvitesha. E zhvillova të gjithë fazën përgatitore me Arsenalin, si zakonisht. E dija që ndoshta nuk do të luaja ose nuk do të kisha shumë mundësi, por askush nuk më tha asgjë”, deklaroi Jesus.
Braziliani rrëfeu se fillimisht vazhdoi të stërvitej me pjesën tjetër të skuadrës, përpara se papritur të ndahej nga grupi dhe të stërvitej i vetëm.
“Jam profesionist, kështu që vazhdova të stërvitesha me grupin. Pastaj, papritur, më vunë të stërvitesha veçmas. Vazhdova të punoja dhe të jepja maksimumin për të qenë gati, në rast se do të më jepej mundësia të luaja sërish në nivelin më të lartë”, shtoi sulmuesi.
Situata ndryshoi shumë shpejt gjatë javës së fundit të merkatos, kur Barcelona hyri në garë për shërbimet e tij. Jesus zbuloi se kontaktet me drejtuesit katalanas u zhvilluan me ritëm të lartë dhe se vendimi për t’u transferuar në Camp Nou ishte i menjëhershëm.
“Deco dhe presidenti i Barcelonës më telefonuan, ndërsa agjenti im ishte fantastik. Brenda një kohe shumë të shkurtër pata mundësinë të vija këtu dhe thashë po menjëherë. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, u shpreh ai.
Barcelona e transferoi Jesus nga Arsenali për rreth 10 milionë euro, plus bonuse, dhe braziliani ka firmosur kontratë deri në vitin 2029. Ai është tashmë pjesë e projektit të Hansi Flickut, ndërsa debutimin e ka bërë në fitoren 5-0 ndaj Valencias.
Pas një periudhe të vështirë te Arsenali, ku pati edhe probleme me dëmtimet dhe humbi hapësirë në formacion, Jesus synon të rilançojë karrierën në Spanjë dhe të ndihmojë Barcelonën në objektivat e saj për sezonin e ri.






















