
Koncesioni i Sterilizimit mund të ketë përfunduar në letra dhe shërbimi t’i jetë rikthyer shtetit, por përfituesit mbeten të njëtët. Tenderi i Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit prej 4.5 miliardë lekësh, ose rreth 49.4 milionë euro, është mbyllur me vetëm një ofertues dhe me një fitues që rikthen në skenë një histori të njohur të koncesioneve në shëndetësi dhe emrin e biznesmenit Klodian Allajbeu.

OSHIS, institucioni shtetëror i krijuar pas përfundimit të koncesionit të sterilizimit, ka shpallur fituese kompaninë “Diaverum AB”. Për një kontratë që parashikohet të zgjasë rreth katër vite, kompania ishte e vetme në garë dhe ofroi rreth 4.44 miliardë lekë, afro 97 për qind të fondit limit.

Pra, për afro 50 milionë euro para publike, nuk pati një garë mes disa operatorëve. Në tavolinën e OSHIS mbërriti vetëm një ofertë dhe ajo ishte vetëm pak për qind poshtë shumës maksimale që institucioni kishte parashikuar të shpenzonte.
Fituesi lidhet drejtpërdrejt me DiaVita-n, kompania e cila e menaxhoi për 10 vite rresht një prej kontratave të mëdha të shëndetësisë, ndërsa përfitues ka qenë biznesmeni Klodian Allajbeu.
DiaVita u krijua fillimisht nga Evita sh.p.k. dhe Spitali Amerikan, ky i fundit i drejtuar dhe kontrolluar nga Allajbeu. Evita zotëronte 85 për qind të shoqërisë koncesionare, ndërsa Spitali Amerikan 15 për qind. Ishte pikërisht kjo shoqëri që mori përsipër zbatimin e kontratës së hemodializës në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit, të nënshkruar në shkurt të vitit 2016 me afat 10-vjeçar.
Në vitin 2019, pronësia e DiaVita-s ndryshoi. Diaverum International AB bleu 100 për qind të kapitalit, duke marrë 85 për qind të aksioneve nga Evita dhe 15 për qind nga American Hospital. Në dokumentet aktuale të regjistrimit, Diaverum International AB rezulton zotëruesja e plotë e DiaVita-s.
Megjithatë, raportime të mëparshme investigative kanë ngritur pikëpyetje mbi vazhdimësinë e lidhjeve të personave dhe kompanive të përfshira në këtë strukturë me rrethin e Allajbeut. Kjo është arsyeja pse rikthimi i Diaverum si fituese e një kontrate tjetër shumë milionëshe në shëndetësinë publike merr një peshë të veçantë.
Me përfundimin e koncesionit 10-vjeçar të sterilizimit, me një vlerë të raportuar prej afro 100 milionë eurosh, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se shërbimi do t’i rikthehej shtetit. Në dhjetor të vitit 2025, me vendim të Këshillit të Ministrave, u krijua OSHIS, shoqëria shtetërore që do të merrte në administrim këtë shërbim.
Në janar 2026, në krye të saj u emërua Arisa Cane, me mandat deri në vitin 2029. Përpara këtij emërimi, Cane kishte punuar për disa vite si embriologe në departamentin e Fertilizimit In Vitro në Spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut.
Ndërkohë, burime për VNA bëjnë me dije se Arisa Cane është larguar sot, më 11 shtator, nga posti i administratores së OSHIS. Deri në momentin e publikimit të këtij investigimi, informacioni nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe nuk janë bërë të ditura as rrethanat apo arsyet e largimit të saj.
Nëse largimi konfirmohet, ai vjen vetëm pak muaj pas emërimit të saj në krye të strukturës shtetërore dhe në një moment kur OSHIS ka zhvilluar një prej procedurave më të mëdha të prokurimit, me një fond limit prej 4.5 miliardë lekësh. Koha e largimit merr kështu rëndësi të veçantë dhe kërkon transparencë mbi momentin kur është marrë vendimi, arsyet e tij dhe raportin kohor me procedurën e tenderit.
Kalimi i një profesionisti nga sektori privat në administratën publike nuk përbën në vetvete as shkelje dhe as provë favorizimi. Por Cane nuk mori drejtimin e një institucioni dosido. Ajo u vendos në krye të shoqërisë që do të administronte shërbimin e sterilizimit dhe miliona euro fonde publike që do të shpërndaheshin përmes procedurave të prokurimit.
Pikërisht këtu VNA kishte ngritur pikëpyetje që në qershor. Në atë kohë nuk kishte ende një tender që të tregonte se ku do të përfundonin këto para. Pyetja ishte: pas largimit të koncesionarit dhe rikthimit të shërbimit nën administrimin shtetëror, cilat kompani do të merrnin kontratat e reja dhe sa konkurruese do të ishin procedurat?
Sot kemi një zhvillim konkret. Institucioni që u drejtua nga një ish-punonjëse e Spitalit Amerikan ka zhvilluar një tender prej 4.5 miliardë lekësh. Në garë është paraqitur vetëm “Diaverum AB”, një emër i lidhur përmes DiaVita-s me historinë e koncesionit të hemodializës, ku “Spitali Amerikan” i Allajbeut ishte aksioner. Oferta e vetme ishte rreth 4.44 miliardë lekë, ose afro 97 për qind e fondit limit.
Një ofertues i vetëm nuk e bën automatikisht një tender të paligjshëm. Por kur bëhet fjalë për afro 50 milionë euro para publike, mungesa e konkurrencës dhe historia e marrëdhënieve mes aktorëve të përfshirë janë elemente që kërkojnë transparencë dhe shpjegim.
Përse një kontratë me këtë vlerë tërhoqi vetëm një kompani? A ishin kriteret e tenderit të hartuara në mënyrë që të krijonin konkurrencë reale? Përse oferta e vetme arriti në 97 për qind të fondit limit? Dhe mbi të gjitha, a kishte operatorë të tjerë në treg që mund ta ofronin këtë shërbim?
Një tjetër element që bie në sy në dokumentet e tenderit është koha e lënë në dispozicion të kompanive për të hyrë në garë. Në dokumentet e tenderit, OSHIS ka aplikuar shkurtimin e afatit për pranimin e ofertave në vetëm 15 ditë, duke iu referuar ligjit për prokurimin publik, që parashikon këtë mundësi për procedurat mbi kufirin e lartë monetar.
OSHIS e argumenton vendimin me urgjencën për të garantuar vazhdimësinë e hemodializës, një shërbim jetik për pacientët, si dhe me përfundimin e kontratës ekzistuese dhe rrezikun që procedura e re të zgjatej për shkak të ankimeve. Ligji e parashikon mundësinë e shkurtimit të afatit, por rezultati konkret i kësaj procedure ngre një tjetër pikëpyetje.

Në një tender prej afro 50 milionë eurosh, a ishte një afat prej vetëm 15 ditësh i mjaftueshëm për të nxitur konkurrencë të gjerë dhe për t’u dhënë operatorëve të tjerë kohën e nevojshme për të përgatitur ofertat? Apo u përdor ky aspekt i ligjit për të cenuar konkurrencën dhe t’i lihet fusha bosh kompanisë të lidhur me Klodian Allajbeun?
Për këtë arsye, çështja nuk është thjesht se një kompani fitoi një tender. Problemi është tabloja që krijohet: një koncesion përfundon dhe shteti merr formalisht administrimin e shërbimit; në krye të kompanisë shtetërore vendoset një ish-punonjëse e Spitalit Amerikan; disa muaj më vonë zhvillohet një procedurë prej afro 50 milionë eurosh; përdoret kriteri i urgjencës; në të paraqitet vetëm një kompani dhe kontrata përfundon te Diaverum, grupi që zotëron sot DiaVita-n e koncesionit të hemodializës, ku Spitali Amerikan kishte qenë aksioner.
Në të njëjtën kohë, burime për VNA thonë se Cane është larguar nga drejtimi i OSHIS, një informacion që mbetet ende në pritje të konfirmimit zyrtar. Kjo nuk provon vetvetiu një skemë favorizimi, por dyshimet janë të mëdha për një “kostum të qepur me porosi”.
Koncesioni i sterilizimit mund të ketë përfunduar në letra dhe shërbimi mund t’i jetë rikthyer shtetit, por përfituesit duket se nuk ndryshojnë.






















