
Në politikë PS dhe PD prej vitesh përplasen për gjithçka. Akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, klientelizëm, oligarkë dhe kapje të pasurive publike. Por larg foltores së Kuvendit dhe kamerave, interesat duket se dinë të gjejnë njëri-tjetrin.
Një vendim i fundit i qeverisë nxjerr në pah pikërisht këtë kontrast. Rreth 9 hektarë pronë shtetërore në Gjirin e Lalëzit do t'i vihen në dispozicion për 1 euro kompanisë “Omnix Albania”, pas së cilës qëndrojnë katër shoqëri. Kur ndiqet zinxhiri i pronësisë së tyre, dalin emra me lidhje familjare me një ish-deputete të PS, një ish-deputet të PD dhe një biznesmen për të cilin mediat kanë raportuar lidhje të afërta me familjen Berisha.
Qeveria ka miratuar vënien në dispozicion të tri pasurive shtetërore në zonën kadastrale 1522 të Bashkisë Durrës. Sipërfaqja e përgjithshme arrin në 90 030 metra katrorë, ose rreth 9 hektarë. Përfituese është “Omnix Albania”, e cila do ta përdorë pronën në funksion të një investimi strategjik në turizëm.


Por historia nuk qëndron vetëm te kompania. Ajo bëhet më domethënëse kur shihet se kush qëndron pas saj. Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, aksioneri më i madh është kompania “KLAR”, e Shkëlqim Beshirit, me 50% të kapitalit.
Nga 17.5% zotërojnë “Matrix Konstruksion” dhe “Blessed Investment”, respektivisht në pronësi të Arian dhe Besnik Leskajt. Dy biznesmenët janë djemtë e Valentina Leskajt, ish-deputete dhe ish-zyrtare e lartë e Partisë Socialiste.
Krahu tjetër i pronësisë të çon te një emër që ka qenë drejtpërdrejt pjesë e opozitës. “RDA Petrol”, me 15% të kapitalit të “Omnix Albania”, është në pronësi të Fation Veizajt, ish-deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës. Veizaj hyri në Kuvend në vitin 2021 dhe e dorëzoi mandatin në janar 2023.
Aksioner është edhe Shkëlqim Beshiri, emri i të cilit është i lidhur në raportime mediatike me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit dhe kreut të PD-së, Sali Berisha. Duhet theksuar se këto lidhje janë raportime dhe pretendime mediatike.
Megjithatë, fotografia që krijon struktura e kompanisë është politikisht domethënëse, në të njëjtin investim gjenden biznesmenë me lidhje familjare me një figurë të rëndësishme historike të PS-së dhe një ish-deputet i PD-së.
Janë plot 90 030 metra katrorë tokë shtetërore në Durrës, në një zonë me potencial të lartë turistik. Qeveria ka miratuar që prona t'i vihet në dispozicion “Omnix Albania” përmes një marrëveshjeje përdorimi me tarifën simbolike prej 1 euro, në mbështetje të investimit strategjik në turizëm.
Rasti bëhet edhe më domethënës pasi nuk është përfitimi i parë i këtij grupimi në zonë. Në vitin 2022, kompanitë e lidhura me të njëjtët investitorë përfituan në mënyrë të ngjashme rreth 90 mijë metra katrorë për ndërtimin e një hoteli.
E gjithë kjo po ndodh ndërkohë që vetë modeli shqiptar i investimeve strategjike është vendosur nën lupën e Bashkimit Evropian. Brukseli ka ngritur shqetësime për trajtimin preferencial të investitorëve, konkurrencën dhe transparencën në përdorimin e pasurive publike, ndërsa Shqipërisë i kërkohet përafrimi i këtij kuadri me standardet evropiane.
Qeveria shqiptare është angazhuar për ndryshimin e kuadrit ekzistues. Por deri në mbylljen e tij, mekanizmi vazhdon të prodhojë vendime. Dhe kjo krijon një tjetër pikëpyetje, a po shfrytëzohet koha e mbetur për të futur nën ombrellën e investitorit strategjik sa më shumë projekte përpara se rregullat të ndryshojnë?
Rasti i “Omnix Albania” e bën këtë pyetje edhe më të fortë.






















