Politika 11 September 2026, 15:15 Nga VNA

Opozita kërkon Komision Hetimor për KAYO-n: 34 mln euro nga buxheti dhe dyshime për trafik armësh

Ndaje në Whatsapp

fvdfvd.jpg

Opozita ka zyrtarizuar kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kompaninë shtetërore “KAYO” sh.a., duke kërkuar verifikimin e marrëveshjeve me kompanitë private, përdorimin e fondeve publike dhe aktivitetin në fushën e prodhimit dhe tregtimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Kërkesa është depozituar në Kuvend nga 41 deputetë të opozitës, konkretisht nga grupet parlamentare të Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë dhe “Aleancës për Ndryshim”. Komisioni propozohet të përbëhet nga 15 deputetë dhe të ushtrojë veprimtarinë për një periudhë gjashtëmujore.

Një nga çështjet kryesore që opozita kërkon të hetojë lidhet me marrëveshjet e bashkëpunimit të KAYO-s me subjektet private dhe mënyrën e përzgjedhjes, negocimit dhe miratimit të këtyre marrëdhënieve kontraktuale.

Në dokument ngrihen pikëpyetje edhe për katër shoqëri të përbashkëta të krijuara me partnerë privatë gjatë periudhës gusht-nëntor 2025: “Timak Defence”, “Advanced Arms Technology”, “MKD” dhe “Guna Tactical”. Sipas opozitës, në të katërta këto kompani shteti është ortak në pakicë, ndërsa në tre prej tyre vendimmarrja kontrollohet nga privati.

Vëmendje e veçantë i kushtohet “Timak Defence”. Në kërkesë pretendohet se më 17 qershor 2025, 49% e aksioneve të kompanisë “TIMAK” iu shitën për 490 euro shtetasit izraelit Ron Yeffet, ndërsa pak javë më vonë u krijua “Timak Defence”. Opozita kërkon verifikimin e vlerës reale të këtij transaksioni, kushteve kontraktuale dhe rrethanave të hyrjes së Yeffet në kompani.

Sipas të dhënave që PD thotë se janë publikuar në media, deri në qershor 2026 nga Buxheti i Shtetit janë kryer pesë pagesa me vlerë totale 26 milionë euro në drejtim të “Timak Defence”.

Pikëpyetje ngrihen edhe për “Guna Tactical”, ku KAYO zotëronte fillimisht 51% të aksioneve. Sipas dokumentit, në maj 2026 kompania shtetërore i shiti ortakut privat 2% të aksioneve, duke kaluar në pozicionin e aksionerit në pakicë. Opozita pretendon se kjo kompani ka përfituar rreth 8 milionë euro nga Buxheti i Shtetit deri në maj 2026.

“Në të katër kompanitë e themeluara nga KAYO, shteti është ortak në pakicë, ndërsa në tre prej tyre vendimmarrja kontrollohet plotësisht nga privati”, thuhet në dokumentin e PD-së.

Një tjetër pikë e kërkesës lidhet me verifikimin e dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve, të cilat opozita i lidh me audiopërgjime të bëra publike.

Komisionit i kërkohet gjithashtu të kontrollojë ligjshmërinë e aktivitetit të KAYO-s dhe kompanive të saj bija në prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

Në objektin e hetimit parlamentar përfshihet edhe verifikimi i procedurave për alokimin dhe përdorimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit, si dhe vlerësimi i përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Atlantikut të Veriut (NATO).

Në përfundim, opozita kërkon identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e KAYO-s, kompanive të saj bija dhe fondeve publike, si dhe përcaktimin e përgjegjësive institucionale.

Komisioni, nëse ngrihet, do të duhet gjithashtu të vlerësojë nevojën për ndryshime ligjore që synojnë garantimin e ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës, integritetit dhe llogaridhënies në aktivitetin e kompanisë shtetërore dhe shoqërive të lidhura me të.

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme