
Situata me Check-up-in duket se po i del nga duart Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit. Me rezervat e kiteve të kufizuara dhe qytetarët që presin radhën për të kryer kontrollin, Operatori ka nxituar të hapë procedurën për furnizimin me materialet e nevojshme, duke aplikuar shkurtimin e afatit për pranimin e ofertave në katër prej loteve.
Bëhet fjalë për tenderin “Blerje kite, reagentë dhe materiale mjekësore ndihmëse në kuadër të programit të kontrollit mjekësor bazë”, të ndarë në pesë lote dhe me fond limit të përgjithshëm prej 1,6 miliardë lekësh, ose 17,7 milionë eurosh.

Katër prej loteve janë mbi kufirin e lartë monetar dhe pikërisht për to është aplikuar shkurtimi i afatit për pranimin e ofertave. Një nxitim që mund t'i shërbejë Operatorit për të fituar kohën e humbur, por që nga ana tjetër ngre pikëpyetje për kohën që u lihet kompanive të interesuara për t'u përgatitur dhe për të hyrë në garë.
Sepse një ofertë për një procedurë të këtyre përmasave nuk është thjesht një çmim i hedhur në sistem. Operatorët ekonomikë duhet të përgatisin ofertën teknike, dokumentacionin përkatës dhe të provojnë plotësimin e kërkesave të vendosura në dokumentet e tenderit. Kur koha shkurtohet, shkurtohet edhe hapësira që një kompani e interesuar ka në dispozicion për të përgatitur të gjithë dosjen dhe për të konkurruar.

Pikërisht këtu lind problemi tjetër. Një afat më i ngushtë mund ta bëjë më të vështirë pjesëmarrjen për operatorët që duhet ta nisin përgatitjen nga momenti i shpalljes së procedurës, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontrata me vlera të larta dhe kërkesa teknike. Në këtë mënyrë, urgjenca e krijuar nga mungesa e furnizimeve rrezikon të zhvendoset nga qendrat shëndetësore brenda vetë garës së prokurimit.
Ligji kërkon që në përcaktimin e afateve për marrjen e ofertave të merret parasysh kompleksiteti i kontratës dhe koha e nevojshme për hartimin e ofertave. Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen nëse koha e lënë në dispozicion në këtë rast është e mjaftueshme për të garantuar një konkurrim sa më të gjerë.
Dhe këtu lind edhe dyshimi më i fortë, a mund të krijojë afati i shkurtuar avantazh për kompani që, për një arsye apo një tjetër, janë tashmë të përgatitura për procedurën? A mund të sjellë kjo më pak oferta dhe, për rrjedhojë, konkurrencë më të dobët? Përgjigjen përfundimtare do ta japë vetë gara, numri i kompanive që do të paraqiten, ofertat e tyre dhe mënyra se si do të përzgjidhen fituesit.
VNA ngriti që një ditë më parë problemin e furnizimit me kite për Check-up-in, radhët në qendrat shëndetësore, ndërsa tenderi ishte ende në fazën e parashikimit në faqen e APP. Në qendrat shëndetësore rezervat janë të kufizuara dhe në një qendër realizohen aktualisht vetëm 5 deri në 7 kontrolle në ditë. Qytetarët nuk mund të paraqiten kur dëshirojnë për të kryer kontrollin, por presin telefonatën e infermierëve, të cilët u caktojnë ditën sipas mundësive dhe materialeve që kanë në dispozicion.
VNA evidentoi gjithashtu se problemi nuk mund të konsiderohej i papritur. Përfundimi i koncesionit dhe kalimi i Check-up-it në administrim shtetëror diheshin paraprakisht, ndaj edhe furnizimi me kitet, reagentët dhe materialet e tjera duhej të ishte përgatitur përpara se rezervat të arrinin në nivele që kufizojnë shërbimin.
Tani Operatori po përpiqet të rikuperojë kohën duke përshpejtuar prokurimin. Por koha që nuk u shfrytëzua për të siguruar furnizimet përpara se problemi të mbërrinte te qytetarët, nuk duhet të kthehet në kohë të munguar për të cenuar konkurrencën në tenderat e shpallur.
Në fund, pyetja nuk është vetëm se sa shpejt do të blihen kitet. Për një tender prej më shumë se 17,7 milionë eurosh, po aq e rëndësishme është se si do të blihen, me sa konkurrentë, me çfarë ofertash dhe nëse nxitimi për të mbushur raftet bosh do të garantojë një garë reale dhe të barabartë.






















