Bota 11 September 2026, 20:25 Nga VNA

Fotoja e fshirë në shtratin e plazmaferezës dhe kërkimi në AI për “rikthimin në jetë”: Hetimi për vdekjen e Giorgos Mazonakis merr kthesë dixhitale

Ndaje në Whatsapp
Fotoja e fshirë në shtratin e plazmaferezës dhe kërkimi

Hetimi për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis po zhvendoset gjithnjë e më shumë te provat dixhitale dhe te minutat kritike brenda klinikës “Stem Cell” në Kolonaki, ku ai pësoi arrest kardiak gjatë një procedure plazmafereze.

Sipas mediave greke, autoritetet kanë sekuestruar pajisje elektronike nga ambientet e klinikës dhe kanë gjetur një fotografi të fshirë, ku Mazonakis shfaqet i shtrirë në shtratin ku kryhej plazmafereza. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë kohën e saktë kur është bërë fotografia dhe nëse ajo lidhet me ditën e vdekjes së këngëtarit. Ky element konsiderohet i rëndësishëm, pasi mund të ndihmojë në rindërtimin e kronologjisë së ngjarjes dhe në verifikimin nëse procedura kishte nisur realisht, në çfarë faze ndodhej dhe çfarë ndodhi para ndërhyrjes së urgjencës.

Një tjetër detaj i rëndë lidhet me kompjuterin e klinikës. Sipas raportimeve të Newsbeast, duke iu referuar emisionit “Live News”, nga analiza dixhitale rezulton se në atë periudhë është përdorur kompjuteri për të kërkuar, përmes një mjeti të inteligjencës artificiale, çfarë duhet bërë për të rikthyer në jetë një pacient. Autoritetet po hetojnë se kush e bëri kërkimin, në çfarë ore të saktë, çfarë pyetjeje u formulua dhe nëse kërkimi ka lidhje kohore me arrestin kardiak të Mazonakis.

Çështja është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të mospërputhjeve në kronologji. Sipas Protothema, thirrja drejt shërbimit të urgjencës EKAB është bërë në orën 16:23, ndërsa ambulanca mbërriti pak minuta më vonë. Mjeku i klinikës raportohet se u tha ekipeve të urgjencës se kishte administruar një dozë adrenaline 1 mg, pa sqaruar se kur ishte dhënë, dhe më pas dha një dozë të dytë në prani të tyre. Ndërkohë, shoferi i taksisë që e çoi këngëtarin në klinikë ka dëshmuar se e kishte lënë aty në orën 13:55, duke ngritur pikëpyetje mbi kohën reale të qëndrimit të tij në ambientet e klinikës.

Familja e Mazonakis, përmes avokatit të saj, pretendon se procedura e plazmaferezës kishte nisur rreth orës 14:12 dhe se pajisja kishte qëndruar aktive për rreth 42 minuta. Kjo bie ndesh me pretendimet se procedura nuk kishte nisur. Sipas të njëjtave raportime, po hetohen edhe dyshimet për fshirje të të dhënave nga kalendari elektronik i klinikës, konkretisht të regjistrimeve që lidhen me Mazonakis.

Ndërkohë, Shoqata Greke e Hematologjisë ka paralajmëruar se plazmafereza është një procedurë që kryhet me pajisje të specializuara, në kushte spitalore dhe nga personel i trajnuar, kryesisht për sëmundje autoimune. Shoqata thekson se përdorimi i saj për “detoks”, “wellness” apo “jetëgjatësi” nuk mbështetet nga studime klinike dhe mund të ketë efekte anësore, veçanërisht në sistemin kardiovaskular.

Deri tani, elementet më të forta të hetimit janë fotografia e fshirë, kërkimi në kompjuter për mënyrën e rikthimit të një pacienti në jetë, dyshimet për ndryshime në të dhënat elektronike dhe mospërputhjet në oraret e deklaruara. Hetimi dixhital pritet të përcaktojë nëse këto prova janë thjesht indicie rrethanore apo pjesë e një zinxhiri veprimesh që shpjegon minutat e fundit të këngëtarit në klinikë.

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme