Politika 11 September 2026, 20:31 Nga VNA

Dhjetë ministra të Brendshëm, i njëjti rend publik: Rama ndryshon emrat, por jo bilancin e sigurisë

Ndaje në Whatsapp
Dhjetë ministra të Brendshëm, i njëjti rend publik: Rama

Që prej vitit 2013, Ministria e Brendshme është kthyer në një nga karriget më të lëvizshme të qeverive Rama. Kanë ndryshuar emrat, profilet, strategjitë, justifikimet dhe dekorët politikë, por një gjë ka mbetur thuajse e pandryshuar: situata e rendit publik dhe perceptimi se policia lëviz shpesh pas ngjarjeve, jo para tyre.

Me propozimin e Ervin Demos në vend të Besfort Lamallarit, Edi Rama shkon te ministri i dhjetë i Brendshëm në 13 vite qeverisje. Më domethënëse akoma, Demo është ministri i tretë i Brendshëm brenda një viti. Ky nuk është më thjesht rotacion politik. Është simptomë e një ministrie që konsumohet shpejt dhe e një sektori që nuk stabilizohet dot, pavarësisht se kush vendoset në krye të tij.

Nga Saimir Tahiri te Fatmir Xhafaj, nga Sandër Lleshaj te Bledi Çuçi, nga Taulant Balla te Ervin Hoxha, Albana Koçiu, Besfort Lamallari dhe tani Ervin Demo, historia është e njëjtë: ministrat vijnë me premtime reforme dhe largohen pa bilanc të qartë. Disa janë larguar pas krizash politike, disa pas ngjarjesh të rënda, disa pa asnjë shpjegim publik. Në çdo rast, përgjegjësia politike është mbyllur me zëvendësim emrash, jo me analizë të sistemit.

Ministri më jetëgjatë mbetet Saimir Tahiri, i përzgjedhuri i parë i Ramës për Ministrinë e Brendshme. Ai qëndroi tre vjet e gjysmë në detyrë dhe u largua në një kohë kur opozita e akuzonte për tolerim të kultivimit të kanabisit në vend. Pas tij, Fatmir Xhafaj hyri dhe doli dy herë nga ministria, fillimisht për shkak të marrëveshjes politike Rama-Basha dhe më pas pas një vale sulmesh politike që lidheshin me vëllanë e tij.

Më pas erdhi Sandër Lleshaj, i dekretuar pas përplasjes me presidentin Ilir Meta. Edhe ai u largua pas një ngjarjeje të rëndë: vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie, që ndezi protesta në Tiranë. Bledi Çuçi u shkarkua papritur në korrik 2023, pa një shpjegim bindës publik. Taulant Balla pati fat të ngjashëm, duke qëndruar pak më shumë se një vit. Ervin Hoxha, një emër pa peshë politike, u vendos si figurë më teknike, por edhe ai nuk mbijetoi gjatë në post.

Në mandatin e katërt, Rama provoi një tjetër formulë: për herë të parë vendosi një grua në krye të Ministrisë së Brendshme, Albana Koçiun. Por edhe ajo qëndroi vetëm pak muaj, për t’u zhvendosur më pas në postin e zëvendëskryeministres. Besfort Lamallari, i cili për vite kishte mbijetuar si zëvendësministër, qëndroi vetëm rreth gjashtë muaj si ministër. Tani radha i kalon Ervin Demos.

Problemi është se Ministria e Brendshme nuk është ministri protokolli. Ajo është institucioni që mban në dorë rendin, policinë, luftën kundër krimit, sigurinë publike dhe besimin e qytetarëve te shteti. Kur në 13 vite ndërrohen 10 ministra, pyetja nuk është më vetëm kush iku dhe kush erdhi. Pyetja është: pse dështon vazhdimisht e njëjta ministri?

Rama ka eksperimentuar me politikanë të fortë, me ushtarakë, me figura teknike, me emra partiakë dhe me zgjidhje të përkohshme. Por bilanci i rendit nuk matet me ceremonitë e emërimit. Matet me sigurinë në rrugë, me fuqinë e policisë përballë krimit, me parandalimin e vrasjeve, me goditjen e trafikut, me integritetin e uniformave dhe me besimin e publikut.

Dhe këtu qëndron problemi kryesor: ministrat kanë ndryshuar, por sistemi ka mbetur po ai. Sa herë ka krizë, ndërrohet emri në derë. Sa herë ka presion publik, bëhet lëvizje në kabinet. Sa herë rendi prodhon kosto politike, përgjegjësia shkarkohet te ministri i radhës. Por zinxhiri i komandës, kultura e pandëshkueshmërisë dhe varësia politike e policisë nuk trajtohen me të njëjtën urgjencë.

Në fund, emërimi i Ervin Demos nuk është vetëm një ndryshim ministri. Është episodi i radhës i një historie të gjatë pa përgjigje. Sepse pas dhjetë ministrash të Brendshëm, problemi nuk mund të jetë vetëm te ministri. Problemi është te modeli.

Dhe modeli, deri tani, ka prodhuar një rekord të qartë: qeveria ndryshon ministrat, por rendi publik mbetet peng i të njëjtave dështime.

Lexo gjithashtu

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme