Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me lëndë plasëse në derën e banesës së Mariglen Lalës, 36 vjeç, në Kamëz. Hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të ketë pasur si qëllim paralajmërimin apo dërgimin e një mesazhi ndaj tij, ndërsa motivet mbeten ende të paqarta.
Një nga pistat që po shqyrtohet nga policia lidhet me të kaluarën e 36-vjeçarit. Lala është liruar nga burgu pak kohë më parë, pasi ka përfituar nga amnistia e fundit penale.
Sipas të dhënave të hetimit, ai rezulton i dënuar më herët për disa vepra penale, mes të cilave vjedhje, plagosje dhe mashtrim.
Policia po verifikon nëse këto precedentë mund të kenë lidhje me vendosjen e lëndës plasëse në derën e banesës së tij dhe po punon për identifikimin e personit ose personave që qëndrojnë pas sulmit.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 03:35, në rrugën “Rozafa” në Bathore. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.






















