Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ngërçin me pagat e magjistratëve. Përmes një postimi në platformën “X”, Rama deklaron se një gjykatës që sapo nis detyrën në Shqipëri merr aktualisht një pagë 500 euro më të lartë se një koleg i tij në Greqi.

Sipas kreut të qeverisë, me vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), diferenca e pagës do të shkonte në 2 mijë euro më shumë në muaj krahasuar me një gjykatës në Greqi dhe në 3 mijë euro më shumë krahasuar me një koleg në Malin e Zi.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkruan kryeministri Rama në X.
Reagimi i kryeministrit vjen në kuadër të debatit për pagat e magjistratëve dhe vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë lidhur me nivelin e tyre.






















