Kryeministri Edi Rama ka pranuar se në orbitën e protestës së “Flamingove” ka njerëz të financuar nga Fondacioni Soros, duke e paraqitur këtë jo si zbulim të ri, por si pjesë të ekosistemit ku ky fondacion ka vepruar prej vitesh.
Në monologun e tij me gazetaren Rudina Xhunga, në podcastin “Flasim”, Rama foli për protestën e “Flamingove”, për Sazanin, për debatet publike dhe për rolin që, sipas tij, patën rrjetet, narrativat politike dhe ndërhyrjet e ndryshme në fryrjen e çështjes.
Duke iu përgjigjur edhe akuzave të vjetra se ai vetë është “kukull e Sorosit”, Rama tha se është e qartë që ka njerëz të paguar nga Soros, por e lidhi këtë me natyrën e fondacionit dhe me mënyrën si funksionon rrjeti i tij. Sipas tij, kjo është “detyra” dhe “ekosistemi” i fondacionit, ndaj nuk kishte çfarë t’i thoshte Aleks Sorosit kur e takoi.
“Nuk kam çfarë t’i them Aleksit kur e takova, se ai e di”, u shpreh Rama, duke lënë të kuptohet se lidhjet mes fondacionit dhe aktorëve të shoqërisë civile janë të njohura dhe të pritshme për vetë strukturën e Sorosit.
Me këtë deklaratë, Rama tentoi të bëjë një dallim mes shqetësimeve që ai i konsideron legjitime për pronën, mjedisin, transparencën dhe aksesin publik, dhe asaj që e përshkruan si mbivendosje politike apo digjitale mbi protestën. Në intervistë, ai pranon se njerëzit kanë të drejtë të ngrenë pyetje për projektin, por këmbëngul se mbi këto shqetësime janë ngritur edhe narrativa të rreme.
Në thelb, kryeministri nuk e mohoi praninë e njerëzve të financuar nga Soros pranë kësaj klime proteste. Përkundrazi, ai e normalizoi atë si pjesë të një sistemi fondacionesh, shoqërie civile dhe ndikimi publik. Por pikërisht këtu qëndron edhe ironia politike: Rama, i akuzuar prej vitesh nga kundërshtarët si njeri i Sorosit, përdori protestën e “Flamingove” për të thënë se Sorosi ka të vetët në terren, por jo se ai vetë merr urdhra prej tyre.






















