
Një përplasje e fortë ka shpërthyer sot në qytetin e Vlorës, ku në qendër të debatit janë kantieri i Muzeut Hebraik dhe Muzeut Etnografik (Labëria).
Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas një aksioni të deputetit të Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, dhe mbështetësve të tij në këtë kantier.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar veprimin e opozitës si një sulm të papranueshëm mbi hapësirat historike të qytetit.
"Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës - një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore - me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik," shkruan Rama.
Kreu i qeverisë e ka akuzuar deputetin demokrat për përsëritje të kësaj sjelljeje ndaj projekteve zhvillimore në Vlorë, ndërsa ka bërë të ditur edhe një investim të ri për strukturën e Muzeut Labëria, i cili sipas tij ndodhej në gjendje të degraduar.
"Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë USD për hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike," deklaron kryeministri.
Sipas Ramës, Muzeu Etnografik nuk po shkatërrohet, por përkundrazi do t'i nënshtrohet një restaurimi të plotë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa pretendimet e opozitës i ka konsideruar thjesht si tentativa për të penguar punimet në territor.
"Dhe Lesko Pijaniku do vrapojë tek kantieret e radhës, njësoj siç vrapon përnatë pas kecave e pulave që shoqërojnë rrëketë e rakisë në gurmazin e pangopur të tij"-përfundon Rama.






















