Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht një nga infrastrukturat më të rëndësishme energjetike në botë, tubacionin East-West, pasi ai u godit nga një sulm me dron.
Tubacioni rreth 1,200 kilometra i gjatë lidh fushat e naftës në lindje të Arabisë Saudite me portin Yanbu në Detin e Kuq dhe është kthyer në një rrugë kritike për eksportet saudite në një kohë kur lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit është goditur rëndë nga konflikti në rajon.
Sipas Reuters, përmes tubacionit po transportoheshin rreth 4 deri në 5 milionë fuçi naftë në ditë, sasi që përfaqëson afërsisht 5% të furnizimit global.
Sulmi shkaktoi dëme dhe të plagosur, ndërsa autoritetet saudite vendosën ta mbyllnin tubacionin përkohësisht.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të shtunën se beson se Irani ka gjasa të jetë përgjegjës për sulmin, megjithëse hetimet për origjinën e tij vazhdojnë. Trump konfirmoi gjithashtu se kishte biseduar me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman.
Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të avancimit të Houthive të mbështetur nga Irani në Detin e Kuq. Ata kanë marrë kontrollin e ishullit Perim, një pikë strategjike pranë ngushticës Bab el-Mandeb.
Kjo do të thotë se Arabia Saudite po përballet me presion në të dyja rrugët kryesore të eksportit të energjisë: Hormuzi në lindje dhe Deti i Kuq në perëndim.
Iraku ka shkarkuar një komandant ushtarak pranë kufirit iranian dhe ka nisur hetime për të përcaktuar nga është nisur sulmi.
Mbyllja e East-West rrit ndjeshëm shqetësimin në tregjet e energjisë, pasi ky tubacion konsiderohej një nga alternativat kryesore në rast se transporti përmes Hormuzit do të ndërpritej.






















