Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vlorë për të zhvilluar një takim me qytetarët dhe strukturat lokale, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.
Vizita e kreut të qeverisë është shoqëruar me tensione, pasi pranë Pallatit të Kulturës ishin mbledhur disa persona për të protestuar. Protesta pritej të zhvillohej pas përfundimit të takimit të kryeministrit, por policia ka ndërhyrë përpara nisjes së saj.
Katër persona të përfshirë në organizimin e protestës janë shoqëruar nga efektivët. Ende nuk është bërë e ditur arsyeja zyrtare e shoqërimit të tyre.
Rama shoqërohet në këtë vizitë nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, si dhe Bledi Çuçi. Në takimin në Pallatin e Kulturës pritet të diskutohen ndryshimet e mundshme në ndarjen territoriale të vendit.






















