Ka nisur në Prishtinë tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, duke iu bashkuar “Marshit për Liri”, të organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”. Tubimi zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Në marsh ka mbërritur edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i shoqëruar nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Pjesëmarrësit kanë ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipëria dhe diaspora. Dhjetëra qytetarë nga Shqipëria kanë kaluar përmes pikës kufitare të Morinit, ndërsa në tubim janë të pranishëm edhe shqiptarë nga Zvicra dhe vende të tjera.
Marshit i janë bashkuar përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në shesh ndodhet edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Nga Vetëvendosje janë të pranishëm deputeti Arton Konushevci, vëllai i dëshmorit Ilir Konushevci, si dhe deputetët Adnan Rrustemi, Valon Hoti dhe Salih Zyba.
Tubimi mbahet në prag të vendimit të shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së, i cili pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Kosovës ka marrë masa për menaxhimin e qarkullimit. Rrugët “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi” janë bllokuar përkohësisht.
Organizatorët kanë siguruar transport falas nga qytete të ndryshme të Kosovës për pjesëmarrësit, ndërsa gjatë ditës së sotme transporti publik dhe parkingjet në Prishtinë janë pa pagesë.






















