
Në qershor, kur koncesioni i Sterilizimit po shkonte drejt fundit, VNA ngriti një pikëpyetje të thjeshtë: çfarë do të ndodhte me fondet publike të këtij shërbimi pasi koncesioni 10-vjeçar të përfundonte dhe administrimi t’i rikthehej shtetit?
Në atë kohë nuk kishte ende tender, nuk kishte fitues dhe nuk kishte një ofertë miliona euroshe mbi tavolinë. Kishte vetëm një fakt që duhej ndjekur me kujdes: në dhjetor 2025 ishte krijuar Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit, OSHIS sh.a., struktura shtetërore që do të administronte shërbimin pas përfundimit të koncesionit.
Në janar 2026, në krye të OSHIS u emërua Arisa Cane, me mandat deri në vitin 2029. Përpara këtij emërimi, Cane kishte punuar për disa vite si embriologe në departamentin e Fertilizimit In Vitro në Spitalin Amerikan.
Ky fakt nuk ishte në vetvete as shkelje dhe as provë favorizimi. Por ishte pikërisht arsyeja pse VNA ngriti alarmin. Sepse OSHIS nuk ishte një institucion dosido. Në duart e tij do të kalonte administrimi i një shërbimi të kushtueshëm dhe procedurat përmes të cilave do të shpërndaheshin miliona euro nga buxheti i shtetit.
Pyetja ishte nëse po përsëritej një model i njohur në shëndetësi: ish-punonjës të Spitalit Amerikan në pozicione kyçe të sistemit publik, ndërkohë që kompani të lidhura historikisht me biznesmenin Klodian Allajbeu kishin përfituar kontrata të mëdha publike në këtë sektor.
Atëherë nuk kishte ende një tender mbi të cilin mund të ngrihej një akuzë konkrete. Nuk kishte as prova publike se Arisa Cane kishte favorizuar ndonjë operator ekonomik. Prandaj përgjigjja mbetej për më vonë. Do ta tregonin tenderët që OSHIS do të zhvillonte, operatorët që do të hynin në garë, kompanitë që do të shpalleshin fituese dhe niveli i konkurrencës në këto procedura.
Tre muaj më vonë, përgjigjja erdhi.
OSHIS zhvilloi një procedurë me fond limit rreth 4.5 miliardë lekë, ose afro 49.4 milionë euro. Për këtë shumë, në garë u paraqit vetëm një ofertues. Diaverum AB ishte e vetme në procedurë dhe ofroi rreth 4.44 miliardë lekë, afërsisht 97 për qind të fondit limit.
Konkurrenca, në kuptimin real të fjalës, mungoi. Shteti shpalli garë, por gara pati vetëm një emër.
Dhe ky emër nuk është pa histori në shëndetësinë shqiptare.
Diaverum lidhet me DiaVita-n, kompaninë që menaxhoi për 10 vite koncesionin e hemodializës. DiaVita ishte krijuar fillimisht nga Evita sh.p.k., me 85 për qind të aksioneve, dhe Spitali Amerikan, me 15 për qind. Të dyja këto kompani ishin në pronësi të Klodian Allajbeut.
Në vitin 2019, struktura e pronësisë ndryshoi. Diaverum International AB bleu 100 për qind të kapitalit të kompanisë dhe u bë pronarja e plotë e saj. Pra, Spitali Amerikan nuk është sot aksioner i DiaVita-s, por historia e kompanisë dhe e koncesionit të saj mbetet e lidhur me të.
Këtu merr kuptim paralajmërimi i VNA-së në qershor.
Një koncesion përfundoi. Shteti tha se e mori shërbimin në dorë. U krijua një shoqëri shtetërore. Në krye të saj u vendos një ish-punonjëse e Spitalit Amerikan. Pastaj erdhi tenderi prej afro 50 milionë eurosh, me vetëm një ofertues, dhe fitues doli një grup që, përmes DiaVita-s, mbart historinë e një tjetër koncesioni të madh të shëndetësisë, ku Klodian Allajbeu kishte qenë aksioner.
Koncesioni i Sterilizimit mund të ketë përfunduar në letra. Administrimi mund t’i jetë kthyer formalisht shtetit. Por kur miliona euro shpërndahen përmes një procedure ku konkurrenca mungon dhe ku rikthehen të njëjtat gjurmë të vjetra, pyetja mbetet e njëjtë: çfarë ndryshoi realisht?
Në fund, shteti mori Sterilizimin. Por, në këtë rast, shteti ka një emër: Klodian Allajbeu.






















