Rajoni 12 September 2026, 13:01 Nga VNA

Arratisje si në filma në Greqi/ Persona të maskuar si policë e liruan nga burgu shqiptarin Gentian Cipi, gjendet kallashnikov dhe gjurmë gjaku në makinën e autorëve

Ndaje në Whatsapp

Gentisan Cipi.jpg

Kanë dalë detaje të tjera në lidhje me operacionin e gjerë policor në Greqi për kapjen e një 41-vjeçari shqiptar, Gentian Cipi, i cili u arratis gjatë transferimit nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serresit.

Sipas mediave greke, policia ka gjetur një nga dy automjetet që dyshohet se janë përdorur nga bashkëpunëtorët e të burgosurit. Këta të fundit arritën ta merrnin Gentian Cipin nga oborri i spitalit, pasi u paraqitën si efektivë policie dhe kërcënuan me kallashnikov punonjësit e sigurisë së burgut.

Gjatë arratisjes, një nga automjetet dyshohet se është përfshirë në një aksident, duke përfunduar mes kallamishteve. Një prej personave që ndodhej në makinë dyshohet se është plagosur në kokë, pasi në xhamin e përparmë të automjetit janë konstatuar gjurmë gjaku.

Policia greke ka mbledhur prova dhe materiale nga automjeti, të cilat do të analizohen për të identifikuar dhe lokalizuar autorët. Brenda makinës u gjetën gjithashtu një kallashnikov dhe municione.

Ndërkohë, një tjetër automjet është gjetur plotësisht i djegur në zonën e Vrasnas, në bashkinë Volvi. Ende nuk është konfirmuar nëse makina lidhet me arratisjen, por kjo pistë po hetohet nga autoritetet.

Si ndodhi arratisja

Sipas informacioneve të deritanishme, rreth orës 23:00, 41-vjeçari ishte transportuar nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Serresit, konkretisht në klinikën psikiatrike, pasi kishte deklaruar se nuk ndihej mirë.

Transportimi u krye nga një ekip i posaçëm i sigurisë së jashtme të burgut. Sipas televizionit publik grek ERT, në spital u dërguan gjithsej tre të burgosur, të shoqëruar nga pesë efektivë.

Fillimisht, tre prej efektivëve shoqëruan një nga të burgosurit brenda spitalit, ndërsa dy të tjerët qëndruan pranë mjetit të transportit së bashku me dy të burgosurit e tjerë, mes të cilëve ndodhej edhe 41-vjeçari shqiptar.

Në momentin kur automjeti i burgut ndodhej në oborrin e spitalit, në vendngjarje mbërritën dy makina të pajisura me sinjalistikë që i bënte të dukeshin si automjete policie.

Nga makinat zbritën persona të armatosur rëndë, të veshur me uniforma të ngjashme me ato të njësive speciale greke OPKE dhe me fytyrat e mbuluara me kapuçë.

Nën kërcënimin e armëve, autorët neutralizuan dhe çarmatosën dy efektivët e sigurisë, morën me vete 41-vjeçarin dhe u larguan me shpejtësi.

Zëdhënësja e Policisë greke, Konstantia Dimoglidou, deklaroi se, bazuar në dëshmitë e efektivëve që morën pjesë në transferim, personat që organizuan arratisjen ishin paraqitur si policë, kishin armë të rënda dhe përdornin automjete që ngjanin me ato të policisë.

Kush është 41-vjeçari shqiptar Gentian Cipi 

Sipas medias greke, Gentian Cipi është një shtetas shqiptar 41 vjeç, i dënuar për vepra penale që lidhen me trafikun e drogës dhe tentativën e vrasjes.

Ai rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe në disa incidente të tjera, mes tyre një ngjarje me të shtëna me armë zjarri në mes të ditës në Selanik.

Sipas autoriteteve greke, Cipi ndodhej në burg pasi ishte arrestuar nga strukturat kundër krimit të organizuar për tentativë vrasjeje. Ai ishte burgosur në vitin 2025 për një ngjarje të ndodhur në zonën e Pylaia-s në vitin 2024.

Policia greke vijon kërkimet intensive për kapjen e 41-vjeçarit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve që organizuan arratisjen.

Video

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme