
Në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë do të mbahet sot “Marshi për Liri”, një tubim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët më 16 shtator pritet të mësojnë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Aktiviteti organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, e cila ka njoftuar se tubimet dhe aktivitetet mbështetëse do të vijojnë gjatë ditëve të ardhshme në komunat e Kosovës, por edhe në diasporë.
Në një fotografi të publikuar nga platforma, në shesh shihen posterë me portretet e Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të shoqëruar me mesazhin “Kosova po pret” dhe thirrjen: “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”.
Në marshim pritet të jetë i pranishëm edhe Taulant Balla, i cili u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen tubimit në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ndërkohë, më 15 dhe 16 shtator është paralajmëruar edhe “Nata e Pritjes” në Hagë. Rreth 50 veteranë kanë njoftuar se do të udhëtojnë drejt qytetit holandez për të shprehur mbështetjen e tyre.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, ndërsa në shkurt të këtij viti katër ish-krerët e UÇK-së dolën përpara Gjykatës Speciale për deklarimet e tyre. Në qëndrimet e tyre ata kanë mbrojtur pafajësinë, karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe kanë rikujtuar krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.
Edhe ekipet mbrojtëse kanë kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria dhe duke argumentuar se ato nuk mbështeten në prova të mjaftueshme.






















