Pas denoncimeve të njëpasnjëshme të VNA, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vendosur të anulojë tenderin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë spitale rajonale, një procedurë prej afro 50 milionë eurosh ku e vetmja kompani në garë ishte “Diaverum AB”.
Bashkë me tenderin, ndryshime kanë ndodhur edhe në drejtimin e OSHIS. VNA mëson se Arisa Cane është larguar nga posti i administratores, ndërsa në vend të saj është emëruar Yllka Sheta.
Kjo “shkundje”, ende pa nisur mirë puna e OSHIS, vjen pas pikëpyetjeve të ngritura mbi mënyrën se si po shpërndaheshin kontratat e para të mëdha pas rikthimit të shërbimit nën administrimin e shtetit.
Vetëm pak ditë më parë, VNA zbuloi se OSHIS kishte shpallur fituese të tenderit për hemodializën kompaninë “Diaverum AB”. Për procedurën me fond limit rreth 4.5 miliardë lekë ishte paraqitur vetëm një ofertues, ndërsa oferta e tij arrinte në rreth 4.44 miliardë lekë, afro 97% të shumës që shteti kishte parashikuar të shpenzonte.
VNA ngriti pikëpyetje jo vetëm për mungesën e konkurrencës, por edhe për lidhjet historike të fituesit me DiaVita-n, kompaninë e koncesionit të hemodializës, ku Spitali Amerikan i biznesmenit Klodian Allajbeu kishte qenë aksioner.
Tashmë, kontrata që dukej se po shkonte drejt firmosjes është ndalur.
Anulimi përmbys procedurën që do t’i siguronte Diaverum një kontratë tjetër 4-vjeçare prej dhjetëra milionë eurosh dhe e detyron OSHIS të rihapë çështjen e mënyrës se si do të sigurohet shërbimi i hemodializës në pesë spitalet rajonale.
Por lëvizja bëhet edhe më domethënëse nga ndryshimi në krye të vetë institucionit.
Arisa Cane ishte emëruar administratore e OSHIS në janar 2026, me mandat deri në vitin 2029. Vetëm disa muaj më vonë, mandati i saj është ndërprerë dhe drejtimi i është besuar Yllka Shetës.
VNA kishte raportuar më herët se përpara marrjes së drejtimit të OSHIS, Cane kishte punuar për disa vite në Spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut. Ky fakt, i kombinuar me tenderin ku “Diaverum” u shpall fituese përmes një procedure urgjente dhe pa asnjë garë, shtoi pikëpyetjet për një “kostum të qepur me porosi” dhe dyshimet për lidhjet mes Canes dhe Allajbeut.
Po aq e rëndësishme është ajo që vjen më pas. Hemodializa është një shërbim jetik që nuk mund të ndërpritet, ndaj OSHIS dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të përcaktojnë tashmë se si do të procedohet me kontraktimin e tij.
Për e sigurt është që Rama ia ka fikur dritën jeshile kontratës që po shkonte drejt Diaverum, duke e lënë Allajbeun pa “çekun” 50-milionë eurosh dhe pa “marionetën” e tij në krye të OSHIS.
Por jo aq optimist është edhe administratorja e re që do drejtojë kompaninë shtetërore. Yllka Sheta është një emër tjetër anonim pa ndonjë eksperiencë për të menaxhar fonde kaq të mëdha.






















