Kontakti fizik nuk është vetëm një shenjë afeksioni. Studimet tregojnë se prekja njerëzore mund të luajë një rol të rëndësishëm në uljen e stresit, qetësimin e ankthit, zbutjen e dhimbjes dhe forcimin e lidhjeve emocionale.
Pas pandemisë së COVID-19, studiuesit nisën të shqyrtonin më nga afër atë që njihet si “uria për prekje” ose mungesa e kontaktit fizik. Deri atëherë, fenomeni ishte studiuar kryesisht te të moshuarit dhe personat e izoluar. Por kufizimet sociale treguan se prej tij mund të prekeshin edhe adoleshentët dhe të rinjtë.
Sipas ekspertes së neurologjisë Katalin Gothard, të rinjtë që kaluan një pjesë të rëndësishme të adoleshencës në izolim duket se e kanë më të vështirë të bashkëpunojnë, të krijojnë miqësi dhe të përdorin gjeste të vogla afrimiteti, si një përqafim, një prekje mbështetëse në shpatull apo një përplasje duarsh pas një suksesi.
Shkencëtarët shpjegojnë se truri dhe trupi i njeriut janë zhvilluar duke pritur praninë dhe mbështetjen e njerëzve të tjerë. Kur kjo mungon, organizmi mund të reagojë duke rritur nivelin e stresit. Prekja është një nga mënyrat më të thjeshta për t’i dhënë trurit sinjalin se jemi të sigurt dhe se nuk jemi vetëm.
Kur marrim një përqafim ose një ledhatim të butë, aktivizohen disa fije nervore të specializuara në lëkurë. Sinjalet e tyre nxisin çlirimin e oksitocinës, hormon që lidhet me afërsinë, besimin dhe ndjenjën e sigurisë. Ky proces mund të ngadalësojë rrahjet e zemrës, të ulë kortizolin dhe të ndihmojë trupin të relaksohet.
Studimet tregojnë gjithashtu se kontakti fizik i dëshiruar mund të ndihmojë në përballimin e dhimbjes fizike dhe emocionale. Pikërisht për këtë arsye, shpesh i kapim dorën dikujt kur merr një lajm të vështirë ose kur po kalon një procedurë të dhimbshme mjekësore.
Një nga vëzhgimet më mbresëlënëse u bë nga Gothard gjatë studimit të aktivitetit të trurit te majmunët. Gjatë përkujdesjes dhe prekjes mes tyre, aktiviteti i amigdalës – zona e trurit që lidhet me frikën, emocionet dhe vigjilencën – u ul ndjeshëm.
“Në më shumë se 30 vjet nuk kisha parë një stimul të vetëm që ta ulte kaq fuqishëm reagimin e amigdalës”, shpjegoi ajo. Kafshët mbyllnin sytë, relaksoheshin dhe shkëputeshin përkohësisht nga ajo që ndodhte rreth tyre.
Ky zbulim ka ngritur mundësinë që prekja e këndshme dhe e sigurt të përdoret si mbështetje për persona që vuajnë nga ankthi apo çrregullimi i stresit post-traumatik. Megjithatë, ekspertët theksojnë se prekja nuk përjetohet njësoj nga të gjithë. Për disa është qetësuese, ndërsa për persona që kanë kaluar trauma ose abuzim mund të jetë shqetësuese. Prandaj ajo duhet të jetë gjithmonë e dëshiruar dhe me pëlqimin e personit tjetër.
Edhe për njerëzit që jetojnë vetëm ekzistojnë alternativa. Përqafimi i vetes, imagjinimi i një përqafimi nga një person i dashur, përkëdhelja e një kafshe apo përdorimi i një batanijeje të rënduar mund të krijojnë një pjesë të ndjesisë së qetësisë që sjell kontakti njerëzor.
Në spitale dhe qendra kujdesi, mbajtja e dorës ose një prekje mbështetëse nga infermierët është lidhur me gjumë më të mirë, tension më të ulët dhe më pak dhimbje te pacientët. Madje, sipas studiuesve, nuk nevojitet domosdoshmërisht një masazh i gjatë: edhe një përqafim i shkurtër mund të japë efekte qetësuese.
Prekja ruan rëndësinë e saj deri në fund të jetës. Ajo mund të pakësojë frikën dhe t’i përcjellë një personi ndjenjën e paqes dhe të pranisë, edhe kur ai nuk është më në gjendje të komunikojë. Siç shprehet Gothard, prekja konsiderohet shqisa e fundit që largohet.






















