Për pjesën më të madhe të jetës, Vivienne Truran nuk mendonte se ishte personi që do të kërkonte vëmendjen e publikut. Sot, në moshën 82-vjeçare, ajo ka qindra mijëra ndjekës në Instagram dhe është kthyer në një nga shembujt më interesantë se si një kapitull krejt i ri i jetës mund të nisë shumë më vonë nga sa imagjinojmë.
Truran jeton në Cardiff të Uellsit. Përpara famës në rrjetet sociale kishte pasur dy jetë profesionale shumë më tradicionale: kishte punuar në administratën publike dhe më pas ishte marrë me tregtinë e antikuareve.
Për dekada ajo e konsideronte veten relativisht të qetë. Vetëm rreth moshës 80-vjeçare, thotë ajo, kuptoi se në të vërtetë kishte një anë shumë më të hapur dhe ekstraverte.
Ndryshimi erdhi pas një periudhe të vështirë personale. Bashkëshorti i saj Martin vdiq gjatë pandemisë së Covid-19 dhe Vivienne u gjend përballë vetmisë dhe nevojës për të krijuar një rutinë të re.
Një miqësi me fqinjin e saj, James Rolling, u bë fillimi i një historie krejt të papritur. Ai e ndihmoi të eksperimentonte me videot në rrjetet sociale dhe Vivienne nisi të publikonte veshjet e saj, duke folur para kamerës me humor për kombinimet, aksesorët dhe syzet e mëdha që janë kthyer në një nga shenjat e saj dalluese.
Në një nga videot e para ajo shpalli thjesht se mendonte të bëhej influencuese dhe pyeti veten se çfarë mund të “influencojë”. Përgjigjen e dha publiku.
Llogaria e saj, @vivthecarer, nisi të rritej me shpejtësi. Në kohën e publikimit të profilit nga The Guardian, ajo kishte rreth 829 mijë ndjekës në Instagram dhe postonte pothuajse çdo ditë.
Ajo nuk përpiqet të vishet si një 20-vjeçare dhe as nuk e fsheh moshën. Përkundrazi, pikërisht ky është një nga elementet që e ka bërë kaq tërheqëse për ndjekësit: moda shihet si mënyrë për të shprehur personalitetin, jo si një privilegj që përfundon pas një moshe të caktuar.
Fama e saj online tani është transferuar edhe në jetën reale. Njerëzit e njohin në rrugë, e ndalojnë për të folur apo për të bërë fotografi dhe ajo ka krijuar një komunitet që shkon përtej këshillave se çfarë xhakete apo palë syzesh të zgjedhë.
Për Truran, rrjetet sociale i kanë dhënë jo vetëm famë, por strukturë, qëllim dhe kontakte me njerëzit në një etapë të jetës kur shumë persona përballen me izolimin.
Historia e saj prek edhe një debat më të gjerë mbi mënyrën se si shoqëria e sheh plakjen. Moda dhe Instagrami vazhdojnë të dominohen kryesisht nga fytyra të reja, ndërsa gratë e moshuara shpesh bëhen pothuajse të padukshme në kulturën pop.
Vivienne po bën të kundërtën: në të 80-at është më publike dhe më e guximshme nga sa kishte qenë pjesën më të madhe të jetës.
Dhe ka ende një objektiv përpara: të arrijë 1 milion ndjekës.






















