Në vitin 1964, 14 fëmijë britanikë, të gjithë vetëm 7 vjeç, u vendosën përpara kamerave dhe u pyetën për ëndrrat, familjet dhe atë që mendonin se do të bëheshin kur të rriteshin. Ajo që nisi si një dokumentar i vetëm u kthye në një eksperiment televiziv që do të zgjaste më shumë se gjashtë dekada.
Kamerat u kthyen te të njëjtët fëmijë çdo shtatë vjet. Publiku i pa në moshën 14, 21, 28, 35, 42, 49, 56 dhe 63 vjeç. Tani ata kanë arritur në të 70-at dhe historia mbyllet me “70 Up”, kapitullin e fundit të një prej projekteve dokumentare më të pazakonta të televizionit.
Ideja fillestare ishte të shihej se sa ndikojnë klasa shoqërore dhe mjedisi ku lind një fëmijë në të ardhmen e tij. Por me kalimin e dekadave, projekti u shndërrua në diçka shumë më të madhe: një kronikë të jetës njerëzore.
Shikuesit i panë protagonistët teksa zgjidhnin profesionet, dashuroheshin, martoheshin, divorcoheshin, bëheshin prindër, përballeshin me humbje dhe sëmundje dhe më pas hynin në pleqëri. Në të njëjtën kohë, në sfond ndryshonte edhe vetë Britania.
Jo të gjitha ëndrrat e fëmijërisë u realizuan. Tony ëndërronte të bëhej kalorës profesionist, por më pas u bë shofer i taksive të zeza të Londrës. Neil Hughes, një fëmijë shumë i zgjuar që kishte aspirata universitare, kaloi periudha të vështira, përfshirë pastrehësinë, dhe më vonë u përfshi në politikën lokale.
Për disa prej pjesëmarrësve, të shihje jetën tënde të ekspozuar para miliona njerëzve çdo shtatë vjet nuk ishte e lehtë. Disa u larguan përkohësisht nga projekti, ndërsa të tjerë kanë folur për presionin që vinte nga mënyra se si publiku i perceptonte përmes televizionit.
Megjithatë, shumë prej tyre thonë se me kalimin e viteve projekti krijoi mes tyre dhe ekipit të realizimit një lidhje të veçantë. Sue, një prej pjesëmarrëseve, e përshkruan historinë e saj në program si thjesht jetën e një njeriu të zakonshëm: fëmijë, martesa, ndarje, prindërim dhe humbja e njerëzve të dashur. (tollbit.radiotimes.com)
Një prej momenteve që çoi në realizimin e kapitullit të fundit lidhet me Nick Hitchon. Pasi u diagnostikua me kancer në fazë terminale, ai kërkoi të jepte edhe një intervistë të fundit. Hitchon ndërroi jetë vetëm pak kohë pasi ajo u regjistrua. Pas kësaj, ekipi vendosi se historia duhej të kishte një përfundim. (The Guardian)
“70 Up” ka edhe një ndryshim të madh pas kamerave. Michael Apted, regjisori që e drejtoi projektin për dekada, vdiq në vitin 2021. Për kapitullin përfundimtar drejtimin e ka marrë fituesi i Oscarit Asif Kapadia, regjisori i dokumentarëve “Amy” dhe “Senna”.
Në këtë pjesë të fundit, protagonistët nuk pyeten më vetëm se çfarë kanë arritur. Në moshën 70-vjeçare, ata kthehen pas dhe shohin ëndrrat që kishin si fëmijë, zgjedhjet që bënë dhe gjërat që do të kishin dashur t’i bënin ndryshe.
Disa prej burrave të përfshirë në projekt kanë arritur në një përfundim të ngjashëm: do të donin të kishin kaluar më pak kohë duke punuar dhe më shumë me familjet e tyre.
Në fund, projekti që nisi për të studiuar klasat shoqërore përfundoi duke dokumentuar diçka shumë më universale: mënyrën se si një njeri ndryshon gjatë një jete të tërë.
“70 Up” do të transmetohet në ITV në shtator dhe do të jetë kapitulli përfundimtar i rrugëtimit televiziv që nisi në vitin 1964. ITV e përshkruan si fundin e një historie që ka regjistruar në kamera shtatë dekada jetë, nga fëmijëria te pensioni.






















