Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani është “ndëshkuar rëndë” nga bllokada detare amerikane, të cilën e cilësoi si “jashtëzakonisht të fuqishme dhe efektive”.
Duke folur në aktivitetin “Steel Across America”, pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump përsëriti se Teherani nuk do të lejohet të sigurojë armë bërthamore. “Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Dhe ata janë ndëshkuar rëndë”, tha presidenti amerikan, ndërsa vlerësoi edhe veprimet e ushtrisë amerikane ndaj Iranit.
Trump u shpreh veçanërisht i kënaqur me rezultatet e bllokadës detare amerikane, duke thënë se ajo ka qenë “kaq e fuqishme dhe kaq efektive” sa, sipas tij, askush nuk e kishte parashikuar se do të funksiononte në këtë mënyrë.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë kur presioni ndaj Teheranit është rritur ndjeshëm. Shtetet e Bashkuara kanë ndërthurur bllokadën detare me sanksione të reja ekonomike, duke synuar kufizimin e eksporteve të naftës iraniane dhe të ardhurave që financojnë ekonominë e vendit. Sipas Reuters, eksportet iraniane të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit janë goditur rëndë nga bllokada, duke rritur presionin ekonomik mbi Teheranin.
Ndërkohë, përplasja mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet edhe ushtarake. Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave iraniane, ndërsa Irani ka paralajmëruar kundërpërgjigje dhe ka kundërshtuar bllokadën amerikane.
Në qershor, SHBA-ja dhe Irani kishin arritur një memorandum mirëkuptimi pas ndërmjetësimit të Pakistanit dhe Katarit, me synimin për t'i dhënë fund armiqësive dhe për të krijuar një kornizë për negociata të mëtejshme. Megjithatë, marrëveshja nuk ka arritur të ndalë përshkallëzimin e konfliktit. Teherani akuzon Uashingtonin se ka shkelur angazhimet e tij dhe kërkon përfundimin e operacioneve ushtarake amerikane dhe të bllokadës detare.
Trump, nga ana tjetër, ka sinjalizuar se administrata e tij do të vijojë të ushtrojë presion maksimal ndaj Iranit. Në ditët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar edhe masat ekonomike, përfshirë sanksione të reja ndaj sektorit iranian të aviacionit dhe kompanive që dyshohet se ndihmojnë Teheranin të anashkalojë kufizimet amerikane.
Përplasja mes dy vendeve mbetet një nga faktorët kryesorë të destabilitetit në Lindjen e Mesme, ndërsa presioni amerikan ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjja e Teheranit rrisin shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.






















