Rusia ka rifilluar sulmet masive me raketa dhe dronë ndaj Kievit, vetëm pak pasi të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump përfunduan vizitën e tyre në kryeqytetin ukrainas, ku po përpiqeshin të ringjallnin negociatat për përfundimin e luftës.
Sulmet nisën në orët e para të së martës, 8 shtator, duke goditur disa zona të kryeqytetit ukrainas. Sipas autoriteteve lokale, të paktën dy persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se mbetjet e raketave dhe dronëve shkaktuan zjarre në ndërtesa banimi, përfshirë një pallat pesëkatësh dhe një ndërtesë tjetër trekatëshe.
Sulmet shënuan rikthimin e ofensivës ajrore ruse pas një ndërprerjeje të shkurtër të goditjeve ndaj kryeqytetit, e lidhur me vizitën e negociatorëve amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Dy të dërguarit e Trump kishin mbërritur në Kiev pasi zhvilluan më shumë se tre orë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin. Në Moskë, pala amerikane paraqiti ide të reja për një zgjidhje të mundshme të konfliktit, por takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.
Kushner dhe Witkoff më pas udhëtuan drejt Kievit, ku u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Pas bisedimeve, negociatorët amerikanë folën për një moment të ri në përpjekjet diplomatike dhe shprehën shpresën për rifillimin e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.
Por vetëm pak pas largimit të tyre, raketat dhe dronët rusë u rikthyen mbi kryeqytetin ukrainas.
Sulmi vjen ndërsa administrata Trump po ndërmerr një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Kremlini ka deklaruar se nuk përjashton rikthimin e bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, por deri tani nuk ka një datë apo vend të përcaktuar për negociata të reja.
Rifillimi i sulmeve ndaj Kievit menjëherë pas vizitës amerikane tregon hendekun e madh që vazhdon të ekzistojë mes diplomacisë dhe situatës në terren, ndërsa Uashingtoni përpiqet të bindë Moskën dhe Kievin të rikthehen në tryezën e negociatave.




















