Vetëm 24 orë përpara se në të gjithë vendin të binte zilja e parë e vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, zgjodhi t’u drejtohej prindërve shqiptarë me një mesazh që ka nxitur reagime dhe polemika të shumta.
Në vend të një komunikimi mbështetës për sfidat me të cilat përballen familjet çdo fillim shtatori, toni i ministres është perceptuar nga shumë prindër si mospërfillës dhe arrogant.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kumbaro njoftoi nisjen e programit “Pas Shkolle”, i cili pritet të shtrihet në 408 shkolla publike në të gjithë Shqipërinë.
Mirëpo, ajo që duhej të ishte një njoftim për një shërbim plus, u kthye në një distancim të prerë nga nevojat reale të familjeve shqiptare.
Ministrja u kujdes të nënvizonte me sekuenca të qarta se shteti nuk ka ndërmend të zgjidhë hallin e orareve të prindërve:
> “Por ka një gjë shumë të rëndësishme: ‘Pas Shkolle’ nuk është program i detyrueshëm, dhe nuk është thjesht një vend ku fëmijët qëndrojnë derisa prindërit të mbarojnë punën.”
Edhe pse zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë me dy orë (çka e çon përfundimin e procesit rreth orës 14:00 ose 15:00) promovohet si një hap përpara, ai mbetet gjysmak. Për një prind që punon me orar zyrtar deri në orën 16:00 ose 17:00, kjo periudhë dy-orëshe nuk e zgjidh asnjëherë ngarkesën ditore.
"Nuk është një program me porosi sipas kalendarit të çdo prindi, që dikush mbaron në 4 e dikush në 5. Nuk është një program që ka për qëllim t'i japë përgjigje pyetjes se si do të organizohemi deri sa të mbarojmë punën. Dy orë më tepër në shkollë, janë dy orë më pak para telefonit".
E ndërsa Kumbaro shkruan se "interesi për shkollën publike është rritur", realiteti jashtë dyerve të shkollës tregon se për shumë familje, arsimi publik vazhdon të mbetet një e drejtë gjysmë e plotësuar, ku prindërit duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen se ku do t'i lënë fëmijët pas orës 14:00.






















